Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Doritos vs armë zjarri
Nëse mendoni se teknologjia është gjithmonë e zgjuar, prisni sa të dëgjoni këtë. Në një shkollë të mesme në Baltimore, sistemi i sigurisë me inteligjencë artificiale ngatërroi një qese Doritos me një armë zjarri — po, e dëgjuat saktë!
Një nxënës po hante qetësisht patatinat, kur papritur u rrethua nga policia. Arsyeja? AI e shkollës kishte kapur në kamera diçka “të dyshimtë”: dora e tij duke mbajtur qesen e Doritos me një gisht të zgjatur — që, sipas algoritmit, “dukej si një pushkë.”
“Po haja thjesht Doritos,” tha nxënësi, “kur më thanë të ulem në gjunjë dhe më vunë prangat.”
Pra, po, një patatinë me shije djathi, mbylli për pak një ditë mësimi.
Drejtoria e shkollës më pas sqaroi se alarmi ishte rishikuar dhe anuluar, por një komunikim i ngatërruar çoi policinë në vendngjarje. Kompania që prodhon sistemin, Omnilert, kërkoi ndjesë… por shtoi me krenari se “procesi funksionoi siç duhet.” Po pra, vetëm që funksionoi pak si shumë i ekzagjeruar..
Ky incident ngre një pyetje të madhe: nëse një Doritos u ngatërrua me armë, çfarë do bëjë sistemi kur dikush të mbajë në dorë një sanduiç me formë të çuditshme?
Teknologjia mund të jetë inteligjente, por ndonjëherë të jep përshtypjen që ka nevojë për një… snack.