Celebrities

Vrasja e Charlie Kirk tronditi botën, Chris Martin i Coldplay ka një mesazh!

Vrasja e Charlie Kirk ka ngjallur reagime të forta në mbarë botën, nga politika te arti dhe muzika. Ngjarja tragjike në SHBA është përmendur edhe gjatë një koncerti të Coldplay në Londër, ku këngëtari Chris Martin mbajti një fjalim prekës në stadiumin Wembley.

Duke iu drejtuar publikut, Martin kërkoi nga mijëra fansa që të ngrinin duart për të “dërguar dashuri kudo që ka nevojë”. Ai shtoi:

Ka shumë vende që kanë nevojë për dashuri sot. Mund t’ia dërgoni familjes suaj, dikujt që po kalon një periudhë të vështirë, familjes së Charlie Kirk, familjes së kujtdo.

Mesazhi i tij u prit me respekt dhe qetësi nga turma, ndërsa Martin theksoi se dashuria duhet t’u ofrohet edhe “atyre me të cilët nuk jemi dakord”.

Ai përmendi gjithashtu popujt e prekur nga konflikte të mëdha në Lindjen e Mesme, Ukrainë, Rusi, Sudan, Somali dhe vende të tjera, duke u bërë thirrje për solidaritet global.

Ndërkohë, autoritetet amerikane kanë arrestuar të dyshuarin kryesor për vrasjen e Kirk. Ai është 22-vjeçari Tyler Robinson nga Utah, i cili u dorëzua me ndihmën e familjes. Sipas të afërmve, Robinson ishte radikalizuar politikisht muajt e fundit.

Hetuesit zbuluan se plumbat e përdorur në atentat mbanin mbishkrime si “Hej, fashist” dhe referenca ndaj këngës antifashiste italiane “Bella Ciao”.

Ngjarja vijon të tronditë opinionin publik, ndërsa reagimet nga personalitete të ndryshme pritet të shtohen në ditët në vijim.