Reperi i njohur Offset është liruar nga spitali vetëm pak ditë pasi u plagos në një incident me armë zjarri jashtë një kazinoje në Florida, duke shqetësuar fansat në mbarë botën.
Artisti u shtrua në spital të hënën në gjendje të qëndrueshme, ndërsa tashmë ka konfirmuar përmes rrjeteve sociale se është jashtë rrezikut dhe në gjendje të ecë.
Në një reagim publik, ai falënderoi stafin mjekësor për kujdesin dhe mbështetjen.
Jam mirë, por do të bëhem edhe më mirë. Jam i përqendruar te familja ime, rikuperimi dhe rikthimi në muzikë
-u shpreh reperi, duke treguar vendosmërinë për t’iu kthyer normalitetit.
Ndërkohë, në lidhje me incidentin, policia ka bërë të ditur se Lil Tjay u arrestua më 6 prill, por vetëm për sjellje të pahijshme dhe jo për përfshirje në të shtënat. Ai u lirua me kusht një ditë më pas.
Avokatja e tij, Dawn Florio, mohoi kategorikisht çdo lidhje të klientit të saj me të shtënat, duke i cilësuar raportimet si të pavërteta.
Autoritetet kanë ndaluar edhe një person tjetër në vendngjarje, por pa ngritur akuza ndaj tij, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë.
Ngjarja mbetet ende e paqartë, por një gjë është e sigurt, Offset i shpëtoi rrezikut dhe tani synon një rikthim të fortë.