Aktualitet Sociale

OKB-ja parashikon përgjysmimin e lindjeve në Shqipëri në vitet 2024-2054!

Përgjatë dekadës së fundit, Shqipëria klasifikohet ndër vendet me zhvillime drastike demografike në rang global, duke kryesuar me normat e larta të emigrimit, rënie të lindjeve, plakje të popullsisë, etj. Kombet e Bashkuara parashikojnë që në 30 vitet e ardhshme numri i lindjeve në vendin tonë të përgjysmohet në projeksionet e fundit mbi ecurinë globale të fertilitetit gjatë 2024-2054.

OKB e klasifikoi Shqipërinë me dy vende të tjera, Porto Rikon dhe Xhamajkën me rënien më të fortë të lindjeve në rang global deri në vitin 2054.

Sipas të dhënave të brendshme nga INSTAT-i, vitin e kaluar lindën rreth 22 mijë bebe, por në vitet 2050 do të lindin rreth 10-11 foshnja në vit. Realiteti i viteve të fundit ka treguar se treguesit demografikë të Shqipërisë patën ecuri më negative se edhe projeksionet me pesimistë për ecurinë e popullsisë. Askush nuk kishte mundur të parashikonte se lindjet në vendin tonë do të binin me rreth 40% vetëm në dekadën e fundit. Më 2014-ën, në vendin tonë lindën 35,700 foshnja, ndërsa më 2024-ën, vetëm pak më shumë se 22 mijë ose 37% më pak se në vitin 2014.

Kombet e Bashkuara analizuan se lindjet në Shqipëri do të pësojnë rënie të fortë në vitet në vijim për dy arsye madhore: E para normat e ulëta të fertilitetit në gratë në moshën e lindjeje dhe e dyta nga emigracioni në nivele të larta i moshave të reja.

Normat totale të lindshmërisë kanë rënë vazhdimisht gjatë gjysmës së shekullit të fundit, nga një mesatare totale e lindshmërisë prej 4.8 lindje për grua më 1970-ën në 2.2 më 2024-ën.

Gratë lindin mesatarisht një fëmijë më pak se në vitet 1990, kur shkalla globale ishte 3.3 fëmijë për grua. Rënia parashikohet të vazhdojë deri në fund të shekullit, duke arritur në 1.8 lindje për grua deri në vitin 2100. OKB-ja vë në dukje se projeksioni i normave të lindshmërisë, në të ardhmen është subjekt i pasigurive të mëdha. Më 2024-ën, shkalla totale e fertilitetit në rang global ishte 2.2 lindje për grua, shumë më e ulët se vlera e parashikuar për të njëjtin vit mbi një dekadë më parë në vitin 2013, me 2.4 fëmijë për grua.

Sipas të dhënave të brendshme nga INSTAT-i, Indeksi Sintetik i Fertilitetit ra në 1,21 fëmijë për grua më 2022-shin nga 1,34 fëmijë që ishte ky tregues më 2020-ën e 1,36 që ishte në vitin 2019. Në vitin 2001, sipas INSTAT-it, ky tregues ishte 2.1, ndërsa në vitet 1970, mbi 5.

Në qarqet e Vlorës dhe Korçës, shkalla e fertilitetit ishte më pak se një fëmijë për grua në moshë riprodhimi. Normat më të larta të lindshmërisë janë në qarqet e Kukësit, Dibrës e Lezhës. E krahasuar me të dhënat e Eurostat-it 2021, Shqipëria shihet të ketë normat më të ulëta të lindshmërisë në Europë dukë lënë pas vetëm Spanjën (1.19) dhe Maltën (1.13).

Indeksi i fertilitetit është nën normën e zëvendësimit prej 2,1 fëmijë për grua, që do të thotë se një çift nuk arrin të zëvendësojë veten.  Shtyrja e moshës për martesë, synimet për karrierë dhe në shumë raste pamundësitë ekonomike po bëjnë që gratë shqiptare të lindin gjithnjë e më pak fëmijë./ Monitor