Celebrities Gossip Showbiz

Olivia Rodrigo ka gjetur sërish dashurinë? Këngëtarja shihet me një mashkull misterioz?

Olivia Rodrigo është rikthyer në qendër të vëmendjes për jetën e saj sentimentale, pasi është fotografuar në shoqërinë e financierit Julian Croonenberghs, duke nxitur spekulime se këngëtarja mund të ketë nisur një romancë të re.

Lajmi vjen pak kohë pasi mediat raportuan për ndarjen e artistes amerikane nga aktori britanik Louis Partridge.

Sipas raportimeve, Rodrigo dhe Croonenberghs janë parë disa herë së bashku në lagjen Brooklyn të New Yorkut, çka ka bërë që fansat të aludojnë se mes tyre mund të ketë lindur diçka më shumë se miqësi.

Megjithatë, deri tani as Olivia Rodrigo dhe as Julian Croonenberghs nuk kanë komentuar publikisht mbi natyrën e raportit të tyre.

Ndryshe nga emrat e njohur me të cilët Rodrigo është lidhur më parë, Croonenberghs nuk vjen nga bota e muzikës apo kinemasë. Ai ka ndërtuar karrierën në fushën e financave dhe teknologjisë.

Ai ka studiuar matematikë dhe shkenca kompjuterike në Universitetin Brown, ndërsa më parë ka punuar si analist bankar në kompaninë Goldman Sachs. Përveç karrierës akademike dhe profesionale, ai ka qenë edhe pjesë e ekipit kombëtar amerikan të hokejit në fushë.

Jeta private e Olivia Rodrigos ka qenë shpesh në fokus të mediave rozë. Në të kaluarën, fituesja e çmimeve Grammy është përfolur për lidhje me producentin Adam Faze, muzikantin Zack Bia, aktorin Joshua Bassett dhe së fundmi me aktorin britanik Louis Partridge.

Megjithëse ende nuk ka një konfirmim zyrtar, paraqitjet e shpeshta të këngëtares me Julian Croonenberghs kanë mjaftuar që fansat të nisin spekulimet për një kapitull të ri në jetën e saj romantike.