Bota

Omani: Më 15 qershor raundi i 6-të i bisedimeve bërthamore SHBA-Iran!

Këtë të diel, Irani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të zhvillojnë në Oman raundin e gjashtë të bisedimeve për programin bërthamor të Teheranit, i cili po përparon me shpejtësi. Kjo u vu në dukje sot nga ministri i Jashtëm i Omanit, Badr al-Busaidi.

Njoftimi nga ministri al-Busaidi vjen në kohën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA, po tërheqin stafin që nuk konsiderohet thelbësor për operacionet në Lindjen e Mesme, si dhe të afërmit e tyre, për shkak të mundësisë së trazirave në rajon. Ndërkohë, janë bërë paralajmërime se anijet mund të jenë shënjestër e sulmeve në ujërat rajonale për shkak të tensioneve.

Al-Busaidi e bëri njoftimin në platformën sociale X.

Kam kënaqësinë të njoftoj se raundi i gjashtë i bisedimeve Iran-Amerikë do të mbahet në Oman këtë të diel, më 15 qershor, shkroi al-Busaidi.

Disa ditë më parë, Irani pati paralajmëruar se do të kishte bisedime, por Omani, vendi që po shërben si ndërmjetës nuk kishte konfirmuar gjë deri tani.

Nga ana e tyre, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë komentuar ende. Irani e hodhi poshtë zyrtarisht propozimin e Uashingtonit për një marrëveshje, duke e quajtur atë “të papranueshëm” dhe të mangët në çështje kyçe, sidomos sa i përket heqjes së sanksioneve ekonomike e njohjes së të drejtës së Iranit për pasurimin e uraniumit në tokën e tij.

Teherani thotë se së shpejti do të dorëzojë një propozim të vetin përmes Omanit, një plan që e përshkruan si “të arsyeshëm, logjik e të baraspeshuar”, si dhe iu bën thirrje Shteteve të Bashkuara që ta marrin seriozisht.

Por, dështimi për të arritur një marrëveshje mund të çojë në përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve në Lindjen e Mesme, ku tensionet janë të larta për shkak të luftës në Rripin e Gazës. Irani dhe SHBA-të kanë zhvilluar më parë bisedime në Oman e Itali.