Disa javë më parë kur ja kisha ngenë për të parë një film nga divani mu kujtua “Vanilla Sky”. Një dramë intriguese e Cameron Crowe me një fund të paparashikueshëm shoqëruar nga më shumë se tre interpretime të jashtëzakonshme dhe xhiruar aq bukur, pra një qerasje e syve dhe mendjes.
Duke e parë u kujtova që filmi bazohet në një tjetër sukses të Alejandro Amenábar – “Open Your Eyes” (Abre Los Ojos) dhe meqë isha vetëm 16 vjeç kur “Vanilla Sky” shfaqej asokohe në Kinema Republika në Rrugën e Kavajës, dhe mundësi për të parë filmin origjinal nuk kisha, ishte koha ta shikoja edhe atë.
Ka gjithmonë një kunundrum kur vjen puna tek ri-punimit që i bëhet një vepre nga dikush tjetër. Rrallë herë të ndodh që ri-bërja të jetë më e mirë se gjeneza. Nuk di nëse ishte efekti i të parit të tyre me pak ditë diferencë nga njëri-tjetri, por edhe pse filmat janë ‘njësoj‘, janë gjithashtu të veçantë dhe të mirë jashtëzakonisht të mirë. Për arsye krejt të ndryshme njëri nga tjetri.

Crowe ka përshtatur Madridin e Amenábar në New York duke i qëndruar besnik origjinalit thuajse në detaje. Pak gjëra ndryshojnë nga njëri film tek tjetri. Kryesisht në aktin e tretë. Ka një ndryshim prej 5 vitesh nga filmi spanjoll tek remake-u i hollywood-it që, sigurisht dhe një xhep më të thellë duke i dhënë këtij të fundit ndjesinë e një filmi më të madh. “Vanilla Sky” ka rreth 20 minuta më shumë në të cilat janë elaboruar disa prej historivë që tek “Open Your Eyes” janë mjaftuar me një fjali – dhe kjo nuk është ndikon as për mirë as për keq tek ai.
Protagonisti César/David interpretohet nga Eduardo Noriega në filmin e parë dhe Tom Cruise në të dytin. Në gjysmën e parë të filmit personazhi i Noriegas është më pak simpatik se ai i Cruise, përfundimisht më karizmatik dhe joshës. Takimi i tyre me Sofian ndryshon në faktin se Noriega para dhe pas aksidentit perceptohet si më arrogant dhe kaposh, ndërsa Cruise e luan pjesën më butë duke e bërë takimin të ndjehet më shumë si lojë e fatit. E ndërsa shndërrimi i Noriegës në monstrën pas aksidentit është më teatral dhe tronditës, ai i Cruise është më i lehtë e i besueshëm. Nga ana tjetër interpretimi i Cruise në skenat me maskën e vënë është impresionuese.

Rolet mbështetëse janë ato që “Vanilla Sky” ka tendencën të bëhet më i mirë se paraardhësi. E nëse në të dy filmat Penélepe Cruz luan Sofian, Cameron Diaz bën një punë shumë më interesante me Julie Giannin sesa ftohtësia e spanjolles Najwa Nimri. Po ashtu edhe shoku i ngushtë i Cruise – Jason Lee është shumë më bindës dhe protagonist se Fele Martines. Barazimi fitohet sërish tek roli i psikologut – me Chete Lera tek “Open Your Eyes” dhe Kurt Russell tek “Vanilla Sky” – të dy shumë të dashur dhe argëtues për t’u parë edhe pse me cilësi të ndryshme. Filmi amerikan ndihmohet edhe nga të tjerë yje me role të imëta si Timothy Spall, MIchael Shannon dhe Tilda Swinton.
Toni i njërit film ndryshon disi nga tjetri. Ai i filmit spanjoll është më i errët dhe sugjestionues, ndërsa ai amerikan pak më i lehtë dhe joshës. Por këto ndryshime thjesht e bëjnë përvojën e të parit të së njëjtës histori, e cila nuk ndryshon në mënyrën se si rrëfehet, të ketë nuanca të ndryshme dhe të pëlqyeshme (thujse) njësoj. Sigurisht zbulimi i Amenábar dhe bashkë skenaristit Mateo Gil në shkrimin e kësaj historie gjeniale do duhet të mjaftonte për ta bërë origjinalin më të mirë. Por zbukurimet e Crowe vetëm sa e kanë pasuruar historinë duke mos i hequr asgjë nga ajo që kishte.
Në fund, nuk di nëse është lidhja me yjet e Hollywood-it që më bën të tërhiqem më shumë nga “Vanilla Sky”, apo ngase atë e kam parë para origjinalit. Arsye objektive nuk arrij të gjej. Po duke e lidhur me muzikën (edhe pse e di se krahasimi mund të jetë i pavlerë) ka shumë këngë që janë ri-punuar dhe janë më mirë se origjinali. Në secilin rast filmat janë të dy të mrekullueshëm ndaj nëse nuk i keni parë, ose ju ka marrë malli mbas 22 viteve plus, për t’iu rikthyer, bëjeni. Do të jetë një natë e bukur.