Bota

Operacion ndërkombëtar kundër trafikimit të qenieve njerëzore, 158 arrestime, mbi 1000 viktima, përfshirë të mitur!

Një operacion ndërkombëtar i ka dhënë një goditje të madhe rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore, duke çuar në më shumë se 150 arrestime dhe identifikimin e mbi 1,000 viktimave.

Operacioni gjashtëditor, i koduar “Global Chain”,  përfshiu gati 15,000 oficerë policie në 43 vende në Evropë, Azi, Afrikë dhe Amerikën e Jugut, sipas Interpolit. Ai shënjestroi rrjetet e krimit të organizuar që trafikojnë njerëz, kryesisht të mitur, për shfrytëzim seksual, aktivitet kriminal të detyruar dhe lypje.

Siç raportoi Europol, shumë nga viktimat e shfrytëzimit seksual janë gra që rekrutohen nga jashtë dhe çohen në sallone masazhi të paligjshme, ku shantazhohen për prostitucion.

LEXO EDHE: SPAK godet grupin e strukturuar kriminal, 13 persona nën hetim, 7 të arrestuar, sekuestrime dhe kontrolle të shumta!

Operacioni rezultoi në 158 arrestime dhe identifikimin e 205 të dyshuarve të tjerë, ndërsa u identifikuan 1,194 viktima të mundshme të trafikimit. Operacioni u drejtua nga autoritetet austriake dhe rumune dhe u përqendrua kryesisht në Evropë.

Në Maltë, policia liroi tre gra kolumbiane – dy motra dhe tezen e tyre – të cilave u ishte premtuar punë pastrimi nga një shtetas italian. Me të mbërritur, punëdhënësi i tyre konfiskoi pasaportat me pretekstin e lëshimit të lejeve të punës, të cilat më pas i përdori për t’i detyruar ato të prostituoheshin.

Në Itali, u kryen bastisje në sallone masazhi të dyshuara për lidhje me rrjetet e trafikimit të qenieve njerëzore, duke rezultuar në identifikimin e 75 viktimave të mundshme.

LEXO EDHE: Rokada në Policinë e Shtetit, emërohen shefat e rinj të komisariateve në Tiranë, Shkodër e Kukës!

Në total, viktimat vinin nga 64 vende, ku shumica e rasteve përfshinin qytetarë nga Rumania, Ukraina, Kolumbia dhe Kina. Policia rumune arrestoi 9 persona për trafikimin e 8 viktimave fëmijë, të moshës 7 deri në 15 vjeç, me qëllim lypjen e detyruar.

Gjatë operacionit, u sekuestruan gjithashtu 277,669 euro në para të gatshme, 30 armë, 65 dokumente të falsifikuara dhe një ton kanabis.