Bota

Osmani pret krerët e partive, Krasniqi: LVV-në e çojmë në Kushtetuese, ja shkeljet

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se e kanë gati lëndën për dërgim në Gjykatën Kushtetuese për “shkeljet kushtetuese të kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari dhe Lëvizjes Vetëvendosje në dy seancat e fundit”.

Ai pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, tha se LVV-ja po vepron në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili sipas tij, e ndalon votimin e fshehtë të zgjedhjes së kryeparlamentarit, shkruan KosovaPress.

Sa i përket mundësisë që presidentja Osmani të dërgojë kërkesë të veçantë në Kushtetuese për ngërçin në Kuvend, Krasniqi, tha se kjo është në dorën e saj a do ta bëjë një gjë të tillë.

“I takon presidentes të marrë një vendim të tillë. Unë nuk mund të them se a do të dërgojë apo kur nëse do të dërgojë. Unë mund të them se PDK-ja e ka lëndën gati për shkeljet kushtetuese të cilat janë bërë në mënyrë të qëllimshme dhe vetëdijshme në dy seancat e kaluara dhe mund të ndodhë edhe nesër nëse nuk ndryshon qasja e kryesuesit dhe LVV-së. Por këto janë çështje të ndara”, tha ai.

Presidentja Osmani paraprakisht ka pritur në takim liderin e LVV-së, Albin Kurti, i cili ka thënë se po bën gjithçka për konstituimin e Kuvendit, në frymën e bashkëpunimit dhe kompromisit.

Pas takimeve me Kurtin dhe Krasniqin, presidentja Osmani po pret në takim liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndërsa do të takojë të mërkurën edhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.