Showbiz

P. Diddy shfaqet në gjyq me pulovër – Veprim strategjik për të ndryshuar imazhin?!

Në një sallë gjyqi ku çdo detaj vëzhgohet me lupë – që nga fjala, qëndrimi e deri te mënyra si vishet një i pandehur – Sean “P. Diddy” Combs ka zgjedhur të komunikojë jo vetëm me avokatët, por edhe me… pulovrën e tij.

Po, pulovra është kthyer në element kyç të paraqitjes së tij, ndërkohë që përballet me një proces gjyqësor të bujshëm. I njohur për stilin e tij të pasur dhe ekstravagant, Combs ka lënë pas markat luksoze dhe është shfaqur me veshje të thjeshta, pothuaj uniformë e heshtur: këmishë + pulovër. Por a është kjo thjesht zgjedhje praktike? Apo një veprim i mirëkalkuluar për të ndikuar jurinë?

Sipas burimeve të E! News, Combs ka leje të veshë rroba civile gjatë gjyqit – përfshirë pesë pulovra, pesë këmisha, pesë palë pantallona dhe dy palë këpucë. Një praktikë kjo që u ofrohet shpesh të pandehurve, për të shmangur efektin psikologjik negativ që mund të krijojë uniforma e burgut te juria. Por në rastin e Combs, veshja e përmbajtur shihet si më shumë se kaq – një përpjekje për të zbutur imazhin e një figure publike që për dekada është shfaqur si simbol i pushtetit dhe luksit.

Kamerat janë të ndaluara në sallë, por skicat e realizuara nga artistët vizatimorë të Reuters kanë treguar një Diddy të pamësuar për syrin e publikut: me flokë të thinjur dhe pamje të zymtë. Ndërkohë që publiku i ka parë shpesh në evente të kuq me veshje firmato, në gjykatë ai duket thuajse i panjohshëm.

 

“Nuk ngjan fare me veten,” ka komentuar një gazetar i The Independent. Ndërsa sipas The Washington Post, artistet që po realizojnë skicat e këtij gjyqi (të njëjtat që kanë vizatuar fytyra si Trump, Weinstein apo Maxwell) e përshkruajnë Combs si “të vështirë për t’u vizatuar”, me fytyrë pa shumë tipare të theksuara, por me “vetulla shumë ekspresive”.

Ironikisht, Combs nuk është fare i kënaqur me pamjen që i japin skicat. Sipas Law & Crime Network, ai ka komentuar se duket “si një koalë”.

Pra, pulovra nuk është thjesht një veshje  është një mjet. Një detaj i vogël, me mesazh të madh: “Unë jam më i thjeshtë, më i përulur, më njerëzor.” Në një gjyq ku imazhi mund të jetë po aq vendimtar sa faktet, Diddy duket se e di mirë se si të luajë edhe këtë kartë.