Bota

“Pacienti zero” i shpërthimit të hantavirusit në anijen turistike/Pasioni për shpendët i kushtoi jetën!

Sipas një raportimi të publikuar nga “Il Messaggero”, “pacienti zero” i shpërthimit të hantavirusit në një anije turistike është identifikuar si ornitologu Leo Schilperoord, pasioni i të cilit për shpendët dyshohet se i kushtoi jetën. 70-vjeçari dhe bashkëshortja e tij, Mirjam Schilperoord, 69 vjeçe, kishin pesë muaj që udhëtonin në Amerikën e Jugut.

Çifti kishte mbërritur në Argjentinë më 27 nëntor dhe më pas vijoi udhëtimin në Kili e Uruguai, për t’u rikthyer në Argjentinë në fund të marsit, ku ndërmori një ekskursion fatal për vëzhgimin e shpendëve.

Çifti, me origjinë nga Haulerwijk, një fshat i vogël me rreth 3 mijë banorë në Holandë, u identifikua përmes njoftimeve mortore të publikuara në buletinin mujor të zonës.

Autoritetet argjentinase dyshojnë se në një landfill në Ushuaia, çifti holandez ka thithur grimca të ardhura nga jashtëqitjet e minjve “miu i vogël i orizit” me bisht të gjatë, bartës të hantavirusit, e vetmja formë e njohur deri më tani që transmetohet nga njeriu te njeriu.

Më 1 prill, çifti hipi në anijen turistike “MV Hondius” nga Ushuaia, së bashku me 112 persona të tjerë, shumë prej të cilëve ishin gjithashtu të apasionuar pas vëzhgimit të shpendëve ose shkencëtarë.

Më 6 prill, Leo Schilperoord shfaqi simptoma si temperaturë, dhimbje koke, dhimbje stomaku dhe diarre. Pesë ditë më vonë ai humbi jetën në bordin e anijes.

Më 24 prill, Mirjam zbriti nga anija në ishullin atlantik të Shën Helenës, së bashku me trupin e pajetë të bashkëshortit të saj, gjatë një ndalese të planifikuar.

Ajo mori një fluturim drejt Johanesburgut në Afrikën e Jugut dhe më pas një avion të kompanisë KLM drejt Holandës, por nuk arriti kurrë në destinacion.

Sipas raportimit, ekuipazhi e kishte konsideruar shumë të sëmurë për të udhëtuar dhe u detyrua ta zbriste nga avioni.

Mirjam u rrëzua në aeroport dhe ndërroi jetë një ditë më pas.