Bota Sport

Paris, 2 të vdekur dhe 559 të arrestuar në përleshjet për festën e Champions League-s!

Dy persona humbën jetën e të paktën 559 u arrestuan pas një nate përleshjesh dhe dhune në Paris, për të festuar finalen e Ligës së Kampionëve, të fituar nga Paris-Saint Germain që mbrëmë shpartalloi Interin me rezultatin 5-0, në Allianz Arena.

Aksionet guerile mes ultrasve dhe policisë vazhduan deri në mëngjes. Grupe huliganësh përdorën fishekzjarrë si armë kundër forcave të rendit, si dhe iu vunë flakën disa makinave. Një grua me skuter u përplas nga një automjet e humbi jetën në Paris. Në Dax, në rajonin Nouvelle-Aquitaine, një djalë 17 vjeç vdiq, i goditur me thikë.

Grenoble, makina goditi këmbësorët duke plagosur dy persona

Po në Francë, një makinë goditi këmbësorët në qytetin Grenoble, duke plagosur rëndë dy persona. Shoferi braktisi makinën e për t’i shpëtuar turmës së zemëruar iu dorëzua policisë që e arrestoi. Nga hetimet rezultoi se ngjarja nuk ishte e qëllimshme, por aksidentale.

5 mijë e 400 oficerë policie dhe xhandarë u vendosën nga ministri i Brendshëm, Bruno Retailleau. Opozita e kritikoi pasi i quajti “barbarë” ata që dolën në rrugët e Parisit për të “kryer krime”. Disa makina u dogjën dhe dyqane u plaçkitën në Champs-Elysées. Shumë dëme në rrugët e kryeqytetit Paris. Nuk u kursyen stacione autobusësh, biçikleta e tabela, duke iu vënë flaka.

Nëntë oficerë të plagosur

Policia përdori gaz lotsjellës kur sulmi nga bandat e tifozëve të padisiplinuar u bë më kërcënues. Nëntë oficerë u plagosën. Për sot është menduar një festë disi më e mbyllur në Champs-Elysées, me jo më shumë se 110 mijë vetë që duhet të hyjnë nga tri hapësira të veçanta e po vendosen barriera të pakapërcyeshme.

Lojtarët do të jenë në mes të rrugës duke lëvizur me dy autobusë të hapur për të treguar Kupën e fituar në Allianz Arena kundër Interit të dëshpëruar nga humbja e thellë dhe që e vendosi PSG-në në “çatinë e Europës”. Parada e yjeve të PSG-së pritet që të zgjasë një orë e më pas lojtarët do të priten në Elysee nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili mbrëmë shkroi në X:

Një ditë e lavdishme për PSG-në! Bravo, të gjithë jemi krenarë. Parisi, kryeqyteti i Europës sonte.