Më 31 maj 2015 në Berlin, Luis Enrique fitoi të parën Ligë të Kampionëve si trajner dhe festoi me vajzën e tij Xana, 5 vjeçe në atë kohë. Imazhi nga triumfi me Barcelonën është i Xanës me flamurin e klubit Blaugrana të bashkuar me atë katalanas. Pasi e valëviti, e vendosi në fushën e Olimpiastadionit para syve të qeshur të të atit.

Katër vite më vonë, ndodhi fatkeqësia. Më 2019-ën, Xana e vogël ndërroi jetë në moshën 9 vjeçe, për shkak të një prej formave më të rralla, më serioze e agresive të kancerit të kockave (osteosarkoma).
Për mua nuk ka vdekur, është gjithmonë me ne. Shpirtërisht është. Çdo ditë flasim për të dhe mendoj se Xana ende po na shikon.
Këto ishin fjalët e teknikut spanjoll, i cili pak ditë pas ndeshjes PSG-Manchester City 4-2, shprehej:
Më kujtohet një foto e pabesueshme në finalen e Champions League-s në Berlin, ku Xana vendosi flamurin e Barcelonës. Të njëjtën gjë do të doja të bëja edhe me PSG-në. Vajza ime nuk do të jetë fizikisht, por shpirtërisht.
Një natë më parë, dëshira e Luis Enrique-s u realizua.
Ajo është me mua, ishin fjalët e trajnerit të PSG-së, i cili gjatë ndarjes së trofeve veshi një bluzë me imazhin e Champions League-s së parë të fituar në krye të Barcelonës me vajzën pranë tij, i bindur se atje lart, Xana po feston triumfin e përsëritur të babait të saj, ashtu si 10 vjet më parë.
Luis Enrique: Punova shumë për të ulur presionin te djemtë
Pas ndeshjes, Luis Enrique komentoi triumfin europian:
Javën e kaluar, shqetësimi im ishte të menaxhoja emocionet dhe presionin e një qyteti që ende nuk e kishte fituar Ligën e Kampionëve. Unë u përpoqa ta ulja për t’i lënë djemtë të qetë për të luajtur këtë ndeshje dhe për të realizuar një lojë të mirë. Interi është ekip i nivelit të lartë, por ne ishim mirë dhe Dembélé u tregua i jashtëzakonshëm. Na ndihmoi shumë t’i shënonim golat me lehtësi.
Fitorja e PSG-së me rezultatin 5-0 ndaj Interit është ajo e një grupi të ri:
Ne e ndërtuam këtë ekip për të provuar një rrugë të re pas lamtumirës së Mbappes. Përfshimë lojtarë të nivelit të lartë, duke u përpjekur të zhvillojmë ata që kishim në skuadër. Të gjithë janë rritur.
Mbi dedikimin për vajzën e tij, Luis Enrique shtoi:
Vajza ime ka qenë me mua që në momentin që u largua. U largua vetëm fizikisht, me asgjë tjetër. Nuk është një fitore apo një humbje që ndryshon ndjenjat e mia.