Paralelisht me ndërtimin e Stadiumit “Arena Kombëtare”, në Sheshin “Italia” po merr jetë edhe nisma e Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e parkingut nëntokësor publik, me kapacitet 200 vendësh. Punimet u ndoqën nga afër nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili e cilësoi si një nga kantieret më të bukura të Tiranës. Ndërkaq ai tha se: “Është kënaqësi e veçantë që rikthehem në një nga kantieret më të bukura të Tiranës së sotme, por edhe Tiranës së nesërme. Është kantieri i stadiumit “Arena Kombëtare”, ku Bashkia i është bashkuar grupit për të bërë parkingun më të ri në qytet, parkingu i sheshit “Italia”, i cili është parkingu i katërt nëntokësor në tre vjet, duke filluar me parkingun e sheshit ‘Skënderbej’, parkingun e Bulevardit të ri, parkingun tek ‘7 Xhuxhat’ dhe parkingu i stadiumit. Është një parking me rreth 200 vende, i cili sot do t’i shërbejë kryesisht funksioneve rreth stadiumit, i cili për herë të parë nuk do të jetë një stadium që do të përdoret një herë në 7 ditë, por do të përdoret 7 ditë të javës, 24 orë. Do të jetë edhe qendër argëtimi, komerciale, kulinare, një hapësirë publike dhe i gjithë sheshi pas përfundimit të parkimit kthehet në një shesh pedonal. Pra, fitojmë një zonë tjetër pedonale, mbas sheshit Skënderbej dhe pas Pazarit të Ri, për t’i dhënë Tiranës sa më shumë hapësira. Do të fitojmë vende shumë të çmuara të parkingut, që bashkë me parkingun e stadiumit do të shkojmë në 500 vende. Ai hoqi edhe një paralele mes ndërtimit të stadiumit dhe projektit të teatrit të ri. “Kushdo që është skeptik ndaj të resë ose që është cinik ndaj teatrit të ri, teatri i ri ka potencialin që të përsërisë të njëjtën vatër ekonomike. Besoj, kush është skeptik mjafton të shohë mrekullinë që po ndodh këtu dhe çfarë ekonomie po i sjell Tiranës, për të kuptuar se çfarë potenciali kemi në një zonë tjetër”, tha kryebashkiaku Veliaj.