Sport

Partizani ringrihet, mund Bylisin 1-0! Paqe dhe terr në Teuta – Elbasani!

Partizani ka marrë një fitore shumë të rëndësishme këtë javë përballë Bylisit, me tre pikë që e largojnë ekipin e drejtuar nga Oltijon Kërnaja nga zona e ftohtë dhe i japin mundësinë që të jetë pak më i qetë për të menduar për më lart.

Në një ndeshje pa shumë emocione, me pjesën e parë që nuk dhuroi asnjë gjuajtje në portë, Kërnaja e gjeti zgjidhjen duke aktivizuar Diego Kontreras, sulmuesin e ekipit B që luan në Kategorinë e Dytë.

Ashtu si ndaj Teutës ku ai nisi kthesën e Partizanit me dy gola, sot kolumbiani ishte në vendin e duhur në momentin e duhur, duke shtyrë sferën në rrjetë për të shënuar golin e fitores minimale, shumë të rëndësishme për ecurinë e të kuqve në këtë moment të sezonit.

LEXO EDHE: Futbollistët e Ilirisë dhunojnë ata të Skënderbeut dhe trajnerin Gjoka para ndeshjes, FSHF anulon sfidën!

Supersfida mes Teutës dhe Elbasanit u mbyll pa gola në “Niko Dovana”. Vendasit prodhuan më shumë raste teksa portieri i skuadrës mike, Janaçek shpëtoi disa herë portën. Gjithashtu edhe verdheblutë krijuan, por kishin edhe fatin në anën e tyre. Ndeshja u ndalua për 10 minuta për shkak të ndezjes së flakadantëve dhe tymi “pushtoi” fushën. Më pas u fikën edhe dritat në stadium.

Emocionet më të mëdha u dhuruan në 12 minutat shtesë ku verdheblutë shpëtun portën në vijën fatale dhe Jazxhi shpërdoroi rastin ideal me kokë. Në lojë u fut edhe VAR, ku vendasit pretenduan penallti por pas kontrollimit, Hamiti vijoi lojën. Kështu u mbyll ndeshja e javës së 14-të. Elbasani kryesues ngjitet në kuotën e 26 pikëve, Teuta 22.  Në orën 19:30, në “Air Albania” përballen Dinamo e Tirana. Nesër, më 16:30, luhen Vora – Vllaznia dhe Egnatia – Flamurtari.