Në Gjykatën e Posaçme u mbajt seanca paraprake e çështjes Partizani, që u shty sërish. Avokati Luan Hasneziri i Homeplan kishte paraqitur raport si i sëmurë, por GJKKO caktoi një avokat kryesisht. Gjyqtarja nuk pranoi ta shtyjë seancën që në fillim dhe caktoi kryesisht avokaten Pranvera Daci. Seanca vijoi me prapësimet e të gjithëve, ndërsa në fund gjyqtarja vendosi që për prapësimet e Homeplan-it të jetë vetë avokati Hasneziri.
Mbrojtja kërkoi pushimin e çështjes, ndërsa SPAK i qëndroi kërkesës për kalimin e dosjes për gjykim dhe prokurori i çështjes Arben Kraja i ka dorëzuar me shkrim kundërshtimet në lidhje me pretendimet e avokatëve. Seanca e radhës është lënë më 23 prill ora 13:00. Avokatët e kreut të PD-së, Sali Berisha kërkuan pavlefshmërinë e akteve dhe pushimin e çështjes.
Sipas tyre, aktet e ekspertimit janë bërë në shkelje të ligjit nga hetuesit e BKH-së, kur “në fakt do të duhej të bëheshin nga ekspertë të licencuar”. Gjithashtu, avokatët prapësuan provat për ndryshim destinacioni të Klubit Sportiv “Partizani”, me pretendimin se janë bërë sipas tyre nga kryeministri Edi Rama, teksa ngritën pyetjen se përse nuk i janë marrë deklarime këtij të fundit.
Me pretendimet e tyre vijuan edhe avokatët e tjerë, ndërsa SPAK kërkoi kalimin e dosjes për gjykim. Prokurori i çështjes Arben Kraja i ka dorëzuar me shkrim kundërshtimet në lidhje me pretendimet e avokatëve. Në seancën e radhës pritet një vendim për të dërguar çështjen për gjykim ose jo.
Të akuzuar në aferën Partizani janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi dhe tre të tjerë. Në dy herët e fundit avokatët, një herë i Malltezit e më tej i të pandehurit Xhimi Begeja paraqitën raporte mjekësore si të sëmurë.
Berisha ndodhet në masë “Detyrim paraqitjeje” për korrupsion pasiv, masë të cilën e ka ankimuar në Gjykatën e Lartë. Dhëndri i tij Malltezi po hetohet në arrest shtëpie, për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Për të njëjtën dosje, biznesmeni Fatmir Bektashi akuzohet për “Korrupsion aktiv” dhe “Pastrim parash”. Akuza e “Pastrimit të parave” i është komunikuar edhe Xhimi Begesë, trashëgimtar i tokës e bashkëpronar i Homeplan-it, si dhe Andia Pustinës, financieres që kryente operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan-it.