Lidhja mes Timothée Chalamet dhe Kylie Jenner ka qenë prej kohësh objekt spekulimesh dhe thashethemesh, por tani çdo dyshim është shuar. Aktori i famshëm ka zgjedhur një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij për ta bërë publike marrëdhënien, duke surprizuar publikun dhe mediat.

Gjatë ceremonisë së 31-të të Critics Choice Awards, e mbajtur më 4 janar në Santa Monica, Chalamet u shpall fitues i çmimit për Aktorin më të Mirë për rolin e tij në filmin “Marty Supreme”.
Ndërsa mbante fjalimin e pranimit, ai vendosi të flasë hapur për jetën e tij private, duke konfirmuar për herë të parë lidhjen me themeluesen e Kylie Cosmetics.
Së fundmi, dua të falënderoj partneren time prej tre vitesh
-u shpreh aktori përpara publikut, deklaratë që ndezi menjëherë rrjetet sociale dhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
30-vjeçari, i cili konkuroi në një kategori të fortë përballë emrave të njohur si Leonardo DiCaprio, Joel Edgerton, Ethan Hawke, Michael B. Jordan dhe Wagner Moura, e bëri momentin edhe më emocional duke shtuar:
Të dua. Nuk do të mund ta arrija këtë pa ty
Reagimi nuk vonoi. Kylie Jenner, e pranishme në sallë, iu përgjigj me fjalët “Të dua”, duke shkaktuar duartrokitje dhe emocione mes të ftuarve.
Ky moment i veçantë e ktheu ceremoninë jo vetëm në një triumf profesional për Timothée Chalamet, por edhe në konfirmimin më të qartë publik të romancës së tij me Kylie Jenner, një çift që vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes globale.