Gossip

Timothée Chalamet befason me sakrificën e tij 7 vjeçare për rolin e ri?

Timothée Chalamet ka zbuluar një detaj të pazakontë nga përgatitja për filmin e tij më të ri, “Marty Supreme”, duke pranuar se ka kaluar plot shtatë vite duke u stërvitur në pingpong për të mishëruar sa më bindshëm personazhin kryesor.

Gjatë një interviste në emisionin The Tonight Show më 17 dhjetor, aktori 29-vjeçar tregoi se përgatitja për rolin e Marty Mauser, një personazh i frymëzuar nga kampioni legjendar i pingpongut Marty Reisman, nisi që në vitin 2018, kur u takua për herë të parë me regjisorin Josh Safdie.

Ky ishte një proces trajnimi gjashtë deri në shtatë vjeçar. Nuk ishte çdo ditë pa ndërprerje, por ishte shumë stërvitje. Filloi gjatë pandemisë dhe pingpongu është një gjë fantastike

-u shpreh Chalamet.

Përkushtimi i tij shkoi në nivele ekstreme. Aktori tregoi se mbante gjithmonë me vete një tavolinë pingpongu, madje edhe gjatë xhirimeve të “Dune”, ku praktikonte në mes të shkretëtirës, si edhe mes skenave në sheshxhirimin e filmit “Wonka”.

Chalamet e përshkroi këtë eksperiencë si “dhuratën e jetës”, duke theksuar rëndësinë e mirënjohjes dhe përkushtimit maksimal ndaj punës.

Jetoj çdo mëngjes duke thënë: ‘Uau, për ndonjë arsye më jepet mundësia të punoj’. Atëherë pse të mos përkushtohem 10,000%?

-tha ai.

Duke folur për mesazhin e filmit, aktori u shpreh se “Marty Supreme” është një histori për sakrificën në ndjekje të ëndrrave dhe besimin te vetja, veçanërisht në një kohë që ai e përshkruan si të errët për të rinjtë.

Filmi, që pritet të shfaqet në Mbretërinë e Bashkuar më 26 dhjetor, ndjek historinë e Marty Mauser, një shitës këpucësh 23-vjeçar në Lower East Side të New York-ut në vitet ’50, i cili ndjek me obsesion ëndrrën e pamundur për t’u bërë lojtari më i mirë i pingpongut në botë.

Chalamet e cilësoi projektin si një nga rolet për të cilët është më krenar në karrierën e tij deri më tani.