Veronique Nichanian, e cila për gati katër dekada drejtoi linjën e veshjeve për meshkuj të shtëpisë luksoze Hermes, prezantoi koleksionin e saj të fundit për sezonin Vjeshtë–Dimër 2026, duke ofruar një mbyllje të qetë, dinjitoze dhe thellësisht njerëzore në një industri shpesh të trazuar.

Në tetor, Nichanian kishte njoftuar largimin e saj pas 38 vitesh pune në shtëpinë franceze të luksit. Pak ditë më vonë, Hermes zbuloi pasardhësen e saj; stilisten britanike Grace Wales Bonner, një emër i njohur për estetikën e saj të qetë, inteligjente dhe të rafinuar. Ky tranzicion i butë dhe respektues ishte një përjashtim i rrallë në modën bashkëkohore, ku gjatë vitit të fundit shumë shtëpi mode kanë përjetuar ndryshime të shpejta drejtuesish, shkarkime të papritura dhe presione ekstreme.
Në vend që të rikthehej te “hitet” e saj më të famshme, stilistja zgjodhi të mbetej besnike ndaj filozofisë që e kishte udhëhequr gjithmonë; krijimin e rrobave jashtëzakonisht të bukura për burrin që kërkon cilësinë më të lartë në jetë. Koleksioni përfshinte triko dhe shalla prej leshi të pastër, kostume elegante pa u përpjekur të duken rinore me forcë, pantallona paksa të shkurtra që zbulonin çizme të sheshta të punuara, si dhe kostume lëkure të qepura me vija delikate si me shkumës.
Hermès ka befasuar publikun me një aksesor krejt të pazakontë; fashat prej lëkure me vlerë 200 dollarë. Ato prodhohen në Francë dhe kombinojnë luksin me një produkt të përditshëm. Fashat mbajnë logon “H” dhe vijnë në ngjyra si e verdhë, e kuqe dhe bezhë. Qëllimi është të shndërrojnë edhe gjërat më të thjeshta në një moment luksi, stil tipik Hermès.