Fashion

Çanta origjinale “Birkin” prezantohet pas një blerjeje rekord prej 10 mln dollarësh!

Çanta origjinale e bërë me porosi për aktoren Jane Birkin, e cila u bë një nga modelet ikonike të shekullit të 20-të, u zbulua për median në Tokio. Kompania japoneze që e prezantoi për publikun, e bleu atë për një shifër rekord prej 10 milionë dollarësh në një ankand në Paris në fillim të këtij viti.

Sipas gojëdhënave të modës, çanta e parë Birkin lindi kur aktorja dhe këngëtarja franko-britanike u ul pranë drejtorit ekzekutiv të Hermes, Jean-Louis Dumas, gjatë një fluturimi në vitin 1984 dhe i tha atij se si nënë e re kishte nevojë për një çantë elegante, por funksionale. Dumas menjëherë skicoi çantën drejtkëndëshe, me një hapësirë të dedikuar për shishet e foshnjave. Kompania e bëri atë për të, pastaj filloi t’i shiste publikut versione më të vogla. Dizajni u bë një hit dhe ka ndihmuar në nxitjen e rritjes së markës së modës.

Teksa tregu i luksit po përpiqet të përballojë situatën e vështirë ekonomike duke rritur ndjeshëm çmimet e produkteve të tij, ekzistojnë artikuj që tejkalojnë çdo logjikë të zakonshme blerjeje. Çanta më e shtrenjtë në botë, për shembull, nuk është një aksesor për t’u ekspozuar, por pjesë e një koleksioni për t’u ruajtur me kujdes. Titullin e çantës më të shtrenjtë në botë, sipas Guinness World Records, e mban “1001 Nights Diamond Purse”. Ky aksesor në formë zemre, prodhuar nga argjendari libanez Robert Mouawad, përmban 4517 gurë të çmuar, përfshirë diamante të verdhë, rozë dhe të tejdukshëm si dhe detaje në ar 18 karatësh. E krijuar për të sjellë në jetë atmosferën e “Njëmijë e Një Netëve”, kjo mini çantë arriti çmimin e pabesueshëm prej 3.6 milionë dollarësh.