Përdorimi i simboleve e logos së Partisë Demokratike në fushatën për vendoret e 14 Majit nga të tjera subjekte, reagon PD. Drejtoresha e Komunikimit e kandidatit të PD-së për Bashkinë e Tiranës, Mirela Karabina sot iu drejtua me një kërkesë që “të mos përdorin dhe keqpërdorin emrin e PD-së në media apo në takime elektorale, pa lidhje me PD-në”.
Deklarata e PD-së:
Shtabi elektoral i kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë Tiranë, zotit Roland Bejko, i bën thirrje institucioneve shqiptare, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, AMA-s dhe mediave, të marrin masa e të ndalojnë menjëherë përdorimin e emrit të Partisë Demokratike, logos dhe simboleve të saj nga subjekte zgjedhore të cilat nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Demokratike!
Ne kërkojmë nga këto insitucione, zbatimin e shtetit ligjor dhe vendimeve të gjykatave të Republikës së Shqipërisë. I bëjmë thirrje çdo subjekti politik, të mos përdorë e keqpërdorë emrin e Partisë Demokratike në media apo takime elektorale, nga njerëz dhe drejtues të formacioneve të ndryshme elektorale.
Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësohet në garën për Bashkinë Tiranë me të vetmin kandidat, zotin Roland Bejko, i njohur dhe i regjistruar në këto zgjedhje sipas të gjitha ligjeve në fuqi e në zbatim të Kodit Zgjedhor shqiptar.
Ne do të marrim të gjitha masat ligjore për të mbrojtur identitetin e Partisë Demokratike, identitetin e të djathtës shqiptare që ajo përfaqëson. Partia Demokratike ka paraqitur sot “Ankesë në lidhje me keqinfomimin e disa subjekteve mediatike” drejtuar:
Znj. Armela Krasniqi, Kryetare e Autoriteti te Mediave Audiovizive,
Znj. Desada Metaj, Zëvendëskryetare e Mediave Audiovizive,
Z. Ilirjan Celibashi, Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve
Gjithashtu, i bëjmë thirrje mediave dhe institucioneve që monitorojnë ato, të zbatojnë parimin e hapësirave televizive sipas parimit “par condicion” për subjektin politik Partia Demokratike si partia më e madhe opozitare dhe të gjithë kandidatëve të saj për këshillat bashkiak e kryetar bashkie.