Sport

Për finalen e Botërorit 2026 pushimi mes pjesëve do të jetë 30 minuta! Pse kjo nuk është në favor të Spanjës?

Finalja e Kupës së Botës 2026 do të sjellë një ndryshim të paprecedentë në historinë e turneut. FIFA ka konfirmuar se ndeshja që do të shpallë kampionen e re të botës do të shoqërohet me një spektakël madhështor gjatë pushimit mes dy pjesëve, në stilin e famshëm të finales së NFL-së, Super Bowl.

Sipas medias spanjolle SPORT, kjo risi do të zgjasë pushimin tradicional nga 15 minuta në rreth 25-30 minuta, për t’i lënë hapësirë një shfaqjeje me artistë të njohur ndërkombëtarë.

Ndërkohë, The Times raporton se në skenë do të performojnë emra të mëdhenj të muzikës botërore si Justin Bieber, Shakira, Madonna, BTS, Burna Boy dhe Coldplay, duke e kthyer finalen në një spektakël jo vetëm sportiv, por edhe artistik.

Megjithatë, vendimi nuk është pritur pozitivisht nga të gjithë. Në Spanjë, media SPORT thekson se një pushim kaq i gjatë mund të ndikojë në ritmin e ndeshjes dhe në aspektin taktik. Sipas analizës, skuadra si Spanja, e cila bazohet te intensiteti dhe kontrolli i topit, mund të humbasë avantazhin e ritmit të lojës, ndërsa kundërshtarët do të kenë më shumë kohë për t’u rikuperuar fizikisht dhe për të bërë rregullime taktike.

FIFA ka eksperimentuar më parë me këtë format. Në finalen e fundit të Kupës së Botës për Klube, pushimi u zgjat në rreth 24 minuta për shkak të një shfaqjeje artistike, një vendim që u kritikua nga klubet pjesëmarrëse.

Drejtori operacional i Botërorit 2026, Heimo Schirgi, konfirmoi se ceremonia përmbyllëse do të jetë një shfaqje e madhe që do të bashkojë muzikën, kulturën dhe futbollin.

“Duke ndjekur frymën e ceremonive të hapjes që mirëpritën botën në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ceremonia e mbylljes do ta përmbyllë Botërorin 2026 përmes muzikës, kulturës dhe futbollit, përpara fillimit të finales që do të kurorëzojë kampionin e botës”, u shpreh Schirgi.