Sport

BBC: Ndeshja më e madhe e Anglisë që nga viti 1966, ‘Tre Luanët’ i afrohen ‘përjetësisë’!

Anglia ka mundësinë të bëjë një hap gjigant drejt pavdekësisë sportive, kur të përballet sot me Argjentinën në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, në ndeshjen më të rëndësishme që nga triumfi në finalen e vitit 1966 në ‘Wembley’.

“Tre Luanët” kanë arritur vetëm dy herë në gjysmëfinalet e Kupës së Botës gjatë gjashtë dekadave që pasuan atë sukses historik, në ‘Italia ’90’ dhe më pas në Rusi, tetë vite më parë. Megjithatë, kjo përballje e fundit ringjall një nga rivalitetet më të mëdha të futbollit botëror, duke mbartur peshën e historisë dhe disa nëntekste polemike.

Anglia ka humbur dy finalet e fundit të Kampionatit Evropian, por nën çatinë e stadiumit futurist ‘Atlanta Stadium’, trajneri Thomas Tuchel dhe lojtarët e tij kanë mundësinë të shkruajnë emrat e tyre në histori, duke siguruar finalen e parë të Kupës së Botës për kombëtaren angleze pas plot 60 vitesh.

Fakti që konferenca për shtyp e Tuchelit para ndeshjes ishte e mbushur plot, edhe pse u zhvendos në një ambient më të madh, tregon përmasat e interesit global që ka zgjuar kjo përballje.

Ndeshja e sotme (ora 21:00) përfaqëson mundësinë më të re të Anglisë për të arritur sërish në finalen e turneut më të madh të futbollit botëror, një pengesë që ka mbetur e pakapërcyeshme që prej vitit 1966, kur skuadra e drejtuar nga Sir Alf Ramsey ngriti lart trofeun.

Anglia: ‘Tre Luanët’ vazhdojnë të kenë mungesë opsionesh natyrale në krahun e djathtë të mbrojtjes. Jarell Quansah është i pezulluar, ndërsa Reece James nuk pritet të rrezikohet nga minuta e parë për shkak të historikut të tij me lëndimet. Djed Spence mund të rikthehet në formacionin titullar, megjithëse Ezri Konsa mund të vazhdojë të luajë në atë rol. Ndërkohë, John Stones pritet të formojë dyshen e qendër së mbrojtjes me Marc Guehi.

Jordan Henderson do të mungojë pasi iu nënshtrua një operacioni në kyçin e dorës, pas lëndimit që pësoi në Mexico City. Declan Rice nuk ishte në gjendjen e tij më të mirë fizike në ndeshjen ndaj Norvegjisë për shkak të një sëmundjeje, por Thomas Tuchel shpreson që mesfushori i Arsenalit të jetë gati për ta nisur ndeshjen nga minuta e parë përkrah Elliot Anderson.

Argjentina: Kampionët në fuqi pritet të zbresin në fushë me të njëjtin formacion që mposhtën Zvicrën, pasi Lionel Scaloni nuk pritet të bëjë ndryshime të mëdha. Lionel Messi do ta nisë ndeshjen nga minuta e parë në sulm, ndërsa trajneri argjentinas duhet të zgjedhë mes Julian Alvarez dhe Lautaro Martinez për ta shoqëruar në repartin sulmues.

Në mesfushë, Leandro Paredes mund ta ruajë vendin e titullarit për t’i dhënë ekipit më shumë ekuilibër në fazën mbrojtëse, pavarësisht ndikimit pozitiv që pati Thiago Almada pasi u fut në fushë nga stoli në ndeshjen e kaluar.