Auto & Moto Bota

Për këdo që humb 50 kg në 3 muaj do të ketë dhuratë një Porsche Panamera?!

Një palestër në Kinë ka nisur një sfidë ekstreme humbjeje peshe, duke ofruar një makinë luksoze Porsche Panamera si shpërblim për këdo që arrin të humbë 50 kilogramë brenda tre muajsh. Megjithatë, kjo fushatë ka ndezur debate të forta dhe shqetësime shëndetësore, pasi mjekët paralajmërojnë se humbja e peshës në kaq pak kohë mund të jetë e rrezikshme për jetën. Sipas South China Morning Post, sfida u shpall më 23 tetor nga një qendër fitnesi në Binzhou, provinca Shandong dhe fitoi menjëherë vëmendjen e rrjeteve sociale. Në postimin promovues, palestra premtonte një Porsche Panamera, me vlerë rreth 1.1 milion juanë (155 mijë dollarë amerikanë), për çdo pjesëmarrës që arrin objektivin e humbjes së peshës.

Trajneri i palestrës, Wang, konfirmoi për mediat lokale se sfida është reale dhe tashmë ka filluar. “Sfida është e vërtetë dhe regjistrimet do të mbyllen sapo të arrijmë në 30 pjesëmarrës. Deri tani janë regjistruar rreth shtatë apo tetë persona,” deklaroi ai. Regjistrimi në këtë “garë” kushton 10 mijë juanë (rreth 1,400 dollarë) dhe përfshin ushqimin e përditshëm dhe akomodimin në një ambient të mbyllur. Por, detajet mbi planin e stërvitjes dhe dietën që do të ndiqet nuk janë bërë publike. Wang shtoi se Porsche nuk është i ri, por një model i vitit 2020 që i përket vetë pronarit të palestrës.

Fushata ka ngjallur kritika të shumta nga ekspertët mjekësorë. Një mjek i njohur në rrjetin Weibo, i njohur si “Dr. Zeng”, me mbi 3.5 milion ndjekës, paralajmëroi për rreziqet e humbjes së shpejtë të peshës. “Të humbësh 0.5 kg në ditë është shumë e rrezikshme. Nëse personi nuk është obez, kjo shkakton humbje të muskujve, çekuilibër hormonal, rënie flokësh dhe çrregullime hormonale tek gratë.”-theksoi ai, Edhe Pu Yansong, kirurg gastrointestinal në Shaanxi Provincial People’s Hospital, paralajmëroi: “Një humbje kaq e shpejtë peshe mund të dëmtojë organet dhe të jetë kërcënuese për jetën. Humbja e peshës duhet të bëhet gradualisht dhe me kujdes.”