Aksioni kundër ndërtimeve të paligjshme në Sarandë që çoi edhe në “rrëzimin” e kupolës drejtuese të komisariatit atje, shkaktoi reagimin e qendrës së Policisë së Shtetit. Kryepolici Skënder Hita firmosi pezullimin e menjëhershëm nga detyra për katër të arrestuarit mes bluve.
Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur tashmë procedurat për përjashtimin e tyre përfundimtar nga Policia e Shtetit, duke i akuzuar për pasoja të rënda në mbrojtjen e territorit dhe dëmtim të imazhit të institucionit.
Gjithashtu, “furtuna” nuk ka kursyer as Shefin e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum, Komisar Blerim Tafçiu. Drejtori i Përgjithshëm e ka pezulluar nga detyra pasi nuk u paraqit për t’u marrë në pyetje gjatë veprimeve hetimore që po kryhen nga AMP-ja.
Në përfundim, Policia e Shtetit bëri një apel të fortë publik, duke ftuar dhe inkurajuar qytetarët që të denoncojnë çdo rast të shpërdorimit të detyrës nga efektivët. Institucioni “rikonfirmon vendosmërinë për të pastruar radhët e veta nga kushdo që shkel ligjin dhe tradhton besimin e qytetarëve”.
Akuzat e AMP
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë ndaluar me iniciativë punonjësit e policisë:
• Komisar Gëzim Bashllari, me detyrë Shef Komisariati;
• Nënkomisar Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve
• Nënkomisar Ajdin Ismailaj, specialist për rendin
• Inspektor Robert Çullaj, specialist zone; ndaj të cilëve rëndojnë dyshime të forta për konsumimin e veprave penale:
“Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal; “Kryerja e veprimeve arbitrare”, parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal; “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, parashikuar nga neni 251 i Kodit Penal; të kryera në bashkëpunim.