Aktualitet

Përjashtohen nga tatimet rezidentët që gjenerojnë të ardhura jashtë Shqipërisë!

Këshilli i Ministrave zhvilloi mbledhjen e radhës ku u miratuan një sërë projektligjesh me rëndësi për ekonominë dhe politikat fiskale të vendit. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, njoftoi se një nga aktet kryesore ishte projektligji për tatimin mbi të ardhurat, i cili parashikon ndryshime të rëndësishme me synim vendosjen e një drejtësie sociale e përfshirjen e diasporës shqiptare, por edhe të huajve që jetojnë në Shqipëri.

Projektligji parashikon që të gjithë ata rezidentë tatimorë në Shqipëri, të cilët gjenerojnë të ardhura në vende të tjera të botës dhe ato të ardhura janë të tatuara atje, nuk do të tatohen në vendin tonë. Pra, janë të përjashtuar nga tatimi në Shqipëri.

Ministrja shtoi se nisma është në linjë me politikat e qeverisë për tërheqjen e pensionistëve që kanë dalë në pension jashtë vendit e zgjedhin të jetojnë në Shqipëri, duke krijuar atë që quhet “ekonomia e argjendtë”.

Një tjetër element i rëndësishëm i projektligjit është përjashtimi tatimor për personat e verbër.

Ne kemi bërë një rregullim ligjor që parashikon që për të gjithë ata persona të verbër do të kemi një përjashtim tatimor dhe do të përfitojnë nga lehtësirat fiskale që ka legjislacioni ynë.

Gjatë mbledhjes u diskutua edhe për situatën e çmimeve pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, me ministren që theksoi se qeveria po monitoron me kujdes ndikimet e krizës në tregjet vendase.