Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar të martën një letër nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në të cilën ai e “falënderoi atë për përkushtimin dhe miqësinë” ndaj SHBA-së dhe shprehu dëshirën për të thelluar bashkëpunimin në vitet që vijnë, njoftoi Presidenca e Kosovës.
Trump shkroi në letër, sipas njoftimit, se vendimi i Kosovës për të pranuar shtetas nga shtete të tjera tregon “gatishmërinë e fortë” të saj për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara dhe se “lidershipi në këtë çështje tregon fuqinë dhe dhembshurinë e popullit të Kosovës”.
Në qershor, Qeveria në detyrë e Kosovës njoftoi se do të ofronte mbrojtje të përkohshme për 50 njerëz nga shtetet e treta, në kuadër të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara. Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi për REL-in në qershor se vendet e rajonit të Ballkanit janë përfshirë në kontaktet brenda një strategjie më të gjerë amerikane për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar.
Në letrën e tij, sipas Presidencës së Kosovës, Trump shtoi se:
Shtetet e Bashkuara dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë, të bazuar në respektin e ndërsjellë, vlera të përbashkëta demokratike dhe një vizion për një të ardhme paqësore dhe prosperuese. Përkushtimi juaj për forcimin e kësaj lidhjeje nuk ka kaluar pa u vërejtur, dhe jam i bindur se së bashku do të vazhdojmë të avancojmë qëllimet tona të përbashkëta.
Sipas njoftimit, Trump e ka falënderuar Osmanin “për lidershipin tuaj të guximshëm dhe për faktin që qëndroni si një mike e vërtetë e Shteteve të Bashkuara. Mezi pres të punojmë së bashku me ju në vitet që vijnë”. Gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara në korrik, presidentja Osmani tha se:
Kosova është shumë e interesuar për një lloj të ri marrëdhënieje me SHBA-në, që do të bazohet më shumë në interesat ekonomike, dhe ka veçuar energjinë, mbrojtjen dhe teknologjinë informative si fusha kyçe për zhvillim të përbashkët.