Një betejë ligjore e ndezur po zhvillohet mes Kylian Mbappé dhe Paris Saint-Germain, për shkak të një mosmarrëveshjeje financiare që ka zgjatur më shumë se një vit.
Sipas raportimeve, ylli francez, tashmë lojtar i Real Madridit, pretendon se klubi parisien i detyrohet 55 milionë euro për paga dhe bonuse të papaguara nga sezoni i kaluar.
Konkretisht, Mbappé kërkon kompensim për tre muaj paga të prapambetura dhe për një pjesë të paekzekutuar të bonusit të besnikërisë.
Në prill të këtij viti, avokatët e tij arritën të ngrijnë përkohësisht fondet e PSG-së në vlerën e pretenduar, por deri më tani janë sekuestruar vetëm 14 milionë euro.
Nga ana tjetër, PSG e kundërshton pretendimin, duke argumentuar se në gusht të vitit 2023 ekzistonte një marrëveshje verbale mes Mbappé-së dhe presidentit të klubit, Nasser Al-Khelaïfi.
Sipas klubit, lojtari kishte rënë dakord të hiqte dorë nga këto pagesa në këmbim të rikthimit në skuadër, pas përjashtimit që i ishte bërë për shkak të refuzimit për të rinovuar kontratën.
PSG ka ndërmarrë kundërmasa ligjore ndaj Mbappé-së, duke ngritur një padi për 98 milionë euro, duke e akuzuar për “mungesë mirëbesimi” dhe për taktika që kanë dëmtuar klubin financiarisht.
Mbappé nuk ka qëndruar duarkryq. Ai ka paraqitur disa padi të ndryshme – civile, penale dhe të punës – si dhe ka kërkuar ndërhyrjen e UEFA-s për të pezulluar licencën e PSG-së në kompeticionet evropiane deri në zgjidhjen e çështjes.
Seanca e parë gjyqësore është caktuar për 26 maj 2025. Nëse palët nuk arrijnë një marrëveshje, rasti mund të përfundojë në Gjykatën e Punës.
Ky konflikt i ri ka thelluar edhe më shumë ndarjen mes Mbappé-së dhe klubit të tij të vjetër, duke sjellë në pah tensionet e krijuara që prej momentit kur ai refuzoi rinovimin e kontratës në vitin 2023 dhe u largua për t’u bashkuar me Real Madridin.