Një vlerë e ngritur e kolesterinës LDL mund të zbulohet me një test të thjeshtë gjaku dhe ulja e tij mund të shpëtojë një jetë. Lipidet janë substanca që na shërbejnë si burim energjie në trup. Ne mund t’i marrim ato me ushqim, por organizmi ynë mund t’i krijojë ato edhe vetë. Edhe pse të gjitha lipidet janë të rëndësishme, kolesterina dhe trigliceridet kontribuojnë më së shumti në shfaqjen e disa gjendjeve patologjike, prandaj ato përcaktohen më shpesh në gjak.
Kolesterina është e nevojshme për funksionimin normal të organizmit, por edhe niveli i lartë i kolesterinës në gjak është një faktor rreziku i rëndësishëm për shfaqjen e sëmundjeve të zemrës dhe enëve të gjakut. Statusi i lipideve është një analizë laboratorike e kërkuar nga mjeku, me qëllim kontrollin e vlerave të lipideve, pra LDL-në, HDL-në, VLDL-në, triglicerideve dhe kolesterinës totale, të cilat kur janë jashtë kufijve të vlerave normale, paraqesin rrezik për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare, si sulmi në zemër ose goditje në tru, si dhe sëmundje të enëve periferike të gjakut.
Profili lipidik është një grup testesh me të cilat përcaktohen vlerat e lipideve në gjak dhe përfshin matjen e katër llojeve të yndyrnave në gjak. Vlera e kolesterolit total mund t’i ndihmojë mjekut të përcaktojë rrezikun individual kardiovaskular, pra, gjasat për rrezik 10-vjeçar nga sulmi në zemër apo në tru. Vlerat e larta të kolesterolit LDL, të ashtuquajturit “kolesterol i keq”, janë faktor kryesor rreziku për sulm në zemër dhe tru. Me një analizë të thjeshtë laboratorike mund të mbroni me kohë enët tuaja të gjakut. Mbajtja afatgjatë e kolesterolit brenda vlerave të rekomanduara parandalon ngjarjet kardiovaskulare në 80 për qind të rasteve.
Mjeku juaj mund t’ju sqarojë për të gjitha detajet e nevojshme dhe t’ju rekomandojë cilat analiza duhen kryer. Do të merrni shpjegime për vlerat e kolesterolit tuaj dhe do të bisedoni për mundësitë e trajtimit, nëse vlerat e kolesterolit nuk janë ashtu siç duhet të jenë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për personat që pijnë duhan, kanë gjendje të tjera shëndetësore, si diabeti apo gjendje inflamatore, ose që në familje kanë persona të prekur nga sëmundje të zemrës, tension i lartë apo goditje në tru. Meshkujt duhet të kontrollojnë kolesterolin LDL të paktën një herë deri në moshën 35-vjeçare, ndërsa grave u rekomandohet ta bëjnë këtë deri në moshën 45-vjeçare. Personat me rrezik të lartë kardiovaskular duhet të kontrollojnë kolesterolin LDL shumë më shpesh. Personat me sëmundje kardiovaskulare dhe ata me rrezik të shtuar duhet ta kontrollojnë më shpesh kolesterolin dhe faktorët e tjerë të rrezikut.