Një studim i përbashkët i Universitetit të Kyushus në Japoni dhe Universitetit të Torontos ka nxjerrë në pah fuqinë e aktivitetit fizik në lehtësimin e kujtimeve traumatike dhe atyre të lidhura me varësinë.
Eksperimenti u krye te minjtë, të cilët ishin ekspozuar ndaj tronditjeve elektrike që u shkaktuan sjellje të ngjashme me çrregullimin e stresit post-traumatik (PTSD), përfshirë frikën, ankthin dhe shmangien e ambienteve që i kujtonin traumën.
Pasi iu lejua të bënin aktivitet fizik, minjtë filluan të prodhonin më shumë neurone në hipokampus — zona e trurit e lidhur ngushtë me kujtesën — dhe simptomat e traumës u reduktuan ndjeshëm.
Po ashtu, studiuesit provuan ndërhyrje gjenetike për të nxitur neurogjenezën (prodhimin e neuroneve), e cila dha efekte pozitive, megjithëse jo aq të forta sa ato që u arritën me ushtrime fizike.
Rezultate të ngjashme u vunë re edhe te minjtë që më parë shfaqnin varësi ndaj kokainës: pas rritjes së neurogjenezës, ata nuk e kërkonin më dhomën e lidhur me përdorimin e substancës.
Shkencëtarët theksojnë se këto zbulime hapin rrugën për trajtime të reja kundër PTSD-së dhe varësive, duke synuar ndryshimin e lidhjeve nervore në tru.
Deri atëherë, aktiviteti fizik mbetet një mjet i thjeshtë, i fuqishëm dhe i arritshëm për të ndihmuar trurin të çlirohet nga e shkuara.