Health & Beauty

Përse na mërziten shpejt gjërat që dikur na bënin shumë të lumtur?

Një fenomen i ri i përshkruar nga psikologët modernë lidhet me mënyrën si konsumojmë kënaqësinë sot. Quhet shpesh “dopamine menu” ideja se kemi gjithmonë shumë zgjedhje të shpejta për t’u ndjerë mirë: rrjete sociale, ushqim, video të shkurtra, blerje impulsive. Problemi është se truri mësohet me shpërblime të menjëhershme dhe të shpeshta, duke humbur durimin për gjëra që kërkojnë kohë, si hobi, lexim apo marrëdhënie më të thella.

Kjo shpjegon pse shumë njerëz ndihen “të ngopur” me gjithçka, por njëkohësisht të pakënaqur. Jo sepse mungojnë gjërat e bukura, por sepse truri është mësuar të kërkojë gjithmonë stimulin e radhës. Ekspertët sugjerojnë rikthimin tek aktivitetet e thjeshta dhe më të ngadalta, që i japin trurit kënaqësi më të qëndrueshme, jo vetëm të menjëhershme.

Si qenie njerëzore, shpesh ndihemi sikur jemi në luftë me veten, duam atë që nuk mund ta kemi dhe kemi nevojë për atë që nuk e duam, bëhemi të varur nga gjëra të dëmshme dhe humbasim interesin për ato që na bëjnë mirë. Pse jemi kaq të çakorduar me trurin tonë? Një pjesë e madhe e përgjigjes lidhet me një neurotransmetues të veçantë, dopaminën.

Pikërisht dopamina është mjeti kryesor me të cilin trupi ynë na shtyn të kërkojmë “më shumë”. Shpesh tundimi është të mendojmë se jeta moderne është “e panatyrshme” dhe se na pengon të përjetojmë një lumturi parahistorike, të cilën paraardhësit tanë gjuetarë-mbledhës gjoja e kishin. Ata nuk kishin ushqime të përpunuara, nuk vuanin nga obeziteti, nuk kishin zyra, borxhe dhe për rrjedhojë, as stresin, xhelozinë apo varësitë e sotme.

Por ky vizion romantik nuk qëndron. Nuk dimë shumë për psikologjinë e tyre, por një gjë është e sigurt: ata ishin po aq të shqetësuar dhe të pakënaqur sa ne. Ne nuk jemi krijuar për t’u ndjerë të kënaqur me atë që kemi; jemi krijuar për të kërkuar më shumë. Për ta kuptuar këtë, duhet të shohim marrëdhënien mes korteksit cerebral dhe sistemit të shpërblimit, ku dopamina luan rolin kryesor. Korteksi cerebral është “makineria” jonë e të kuptuarit. Ai ndërton një model të realitetit dhe përpiqet ta përputhë atë me botën përreth ose, anasjelltas, ta përshtasë botën me pritshmëritë tona. Qëllimi i tij nuk është e vërteta absolute, por përputhja maksimale mes pritjes dhe përvojës.