Aktualitet

Pezullohen lundrimet e trageteve të linjave Vlorë-Brindisi e Durrës-Bari!

Për shkak të kushteve të këqija atmosferike që kanë përfshirë vendin tonë, janë pezulluar lundrimet e trageteve të linjave Vlorë-Brindisi e Durrës-Bari, si dhe anasjelltas. Kapiteneritë e porteve të Vlorës e Durrësit, po ashtu pezulluan  lundrimin për mjetet e vogla dhe anijet e peshkimit.

Forca e detit brenda gjirit të Vlorës arrin 6-7 ballë, ndërsa jashtë tij shkon deri në 8 ballë. Dallgët variojnë nga 2.5 deri në 4 metra, duke e bërë të rrezikshme çdo lëvizje në det.

Parashikohet që situata të përmirësohet në orët e para të mëngjesit të nesërm, duke krijuar mundësi për rifillimin e lundrimit. Deri atëherë, të gjitha mjetet detare janë të detyruara të qëndrojnë të ankoruara, për të shmangur çdo incident të mundshëm.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se ditën e sotme, vendi ynë ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme për shkak të masave ajrore të lagështa me origjinë jugperëndimore. Moti vijon me vranësira mesatare deri të dendura, si dhe alternime të herëpashershme e afatshkurtra me kthjellime.

Vranësirat shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme me intensitet kryesisht të ulët ndërsa lokalisht, reshjet janë me intensitet deri mesatar. Në orët e vona të mbrëmjes, në relievet malore në lindje të territorit, reshjet bëhen me intensitet deri dhe të lartë në formën e shtrëngatave, shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Mjegull e dendur/mjegullinë dhe shikim i reduktuar gjatë orëve të mëngjesit në zonat luginore e në momentin e reshjeve të shiut. Era fryn me drejtim juglindje-jugperëndim e me shpejtësi mesatare 5-14 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore, era fiton shpejtësi 14-25 m/s, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 4-5 ballë.

Temperaturat parashikohen:

Shkodër
8/20
Re shi diell

Kukës
7/19
Re shi diell

Lezhë
9/21
Re shi diell

Dibër
9/18
Re shi diell

Durrës
10/22
Re shi diell

Tiranë
10/22
Re shi diell

Elbasan
10/22
Re shi diell

Berat
7/21
Re shi diell

Vlorë
13/19
Re shi diell

Korçë
9/17
Re shi diell

Gjirokastër
7/18
Re shi diell

Sarandë
10/18
Re shi diell