Aktualitet Live From Tirana

Pjesëmarrja e ulët në zgjedhje, kryetarja e bashkisë Vlorë: Ndikuan reshjet e shiut…

E ftuar në një lidhje telefonike për “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Brunilda Mersini, kryebashkiakja e re e Vlorës. Pjesëmarrja më e ulët në zgjedhje ishte në Vlorë, atje ku kandidatja e maxhorancës, Brunilda Mersini, e cila dorëzoi mandatin e deputetes, fitoi thellë ndaj rivalit të mbështetur nga PD-ja. Nga 144 mijë qytetarë të Vlorës, vetëm 18 111 prej tyre votuan të dielën ose 12.54%, me Mersinin që siguroi 15672 vota ndaj 2333 që mori Dionis Sota. Kandidati i tretë Gjergji Nika e mbylli garën me 1975 vota.

Si janë ndjesitë tuaja pas fitores?

Është një ditë që ka plot emocione, por midis emocioneve dominon ndjenja e përgjegjësisë dhe e përkushtimit, por mbi të gjitha e mirënjohjes për qytetarët, për kulturën demokratike të tyre, që zgjodhën njeriun e përkushtuar dhe njeriun që e kanë pasur çdo ditë në jetën e tyre, me shërbimin që unë kam pasur si mjeke në qytetin tim.

Si e komentoni pjesëmarrjen e ulët në votime në qytetin tuaj?

Intensiteti i shiut ishte shumë i lartë dhe kjo është pasqyruar edhe në media. Rrygët e qytetin deri diku u bënë të pakalueshme dhe prej orës 12 të drekës, deri në orën 18:30, shiu ishte me të njëjtin intensitet. Këto kushte atmosferike, moshat e treta, njerëzit që kanë pasur probleme shëndetësore dhe aftësi të tjera të kufizuara për të shkuar në qendrat e votimit, është një fakt. Do kemi kohë për të bërë analiza për pjesëmarrjen, por në opinionin tonë të parë, kuptohet që këto janë zgjedhje të pjesëshme, ku nuk garohet për anëtarë të këshillit bashkiak, që janë një fashë tjetër që do sjellin vota në kutinë e votimit, me ftesat për pjesëmarrje. Vlora, ndryshe nga bashkitë e tjera, zgjedhjet i kishte atipike, sepse vetëm një muaj më parë, Ermal Dredha dha dorëheqjen, ndërsa bashkitë e tjera diheshin prej kohësh që të gjithë kryebashkiakët kishin marrë mandatin e deputetit. Dhe mendoj se koha e pamjaftueshme, gati një javë për të bërë fushatë, dhe mungesa po ashtu e anëtarëve të këshillit bashkiak në kutitë e votimit, unë i shikoj faktorë që kanë ndikuar.