Aktualitet Politikë

PL: MAS të publikojë kalueshmërinë e maturantëve e të hapë procesin e ankimimit!

Partia e Lirisë ngriti sot shqetësimin e hartimit të tezave të provimeve të Maturës Shtetërore. Në përfundim të sezonit të provimeve të Maturës Shtetërore 2025, sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Arla Merja, tha sot se “qindra maturantë kanë ngritur zërin duke denoncuar vështirësinë e pajustifikuara të provimeve”.

Sipas Merjes, “janë raportuar pyetje jashtë programeve zyrtare, struktura të paqarta testimi dhe një metodologji vlerësimi që lë shumë për të dëshiruar”.

Merja shtoi se “pakalueshmëria e lartë, po gjeneron një gjendje pasigurie dhe ankthi te mijëra familje shqiptare”.

E gjithë pesha e një sistemi të dështuar bie mbi supet e një 18-vjeçari, i cili kërkon të ndërtojë të ardhmen e tij, por përballet me një mur burokracie dhe mungesë ndershmërie nga institucionet. Maturantët nuk shohin më arsimin si një mundësi, por si një pengesë.

Nëpërmjet një deklarate për mediet, i bëri thirrje qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit që “të publikojnë pa vonesë statistikat e plota të kalueshmërisë për secilën lëndë dhe numrin e maturantëve që kanë mbetur; të ngrejë një grup pune të pavarur për të analizuar strukturën dhe përmbajtjen e provimeve të këtij viti; të hapë procesin e ankimimit, duke garantuar transparencë dhe një mundësi reale për çdo nxënës që ndjen padrejtësi; të rishikojë urgjentisht programet, mënyrën e testimit dhe politikat arsimore që kanë prodhuar këtë situatë dramatike.

Sipas saj Ministria e Arsimit dhe Sportit duhet të “pranojë se ky sistem arsimor ka nevojë për ndryshim rrënjësor”.