Aktualitet

Plagosi 24-vjeçarin në Bathore, arrestohet autori!

Policia e Tiranës zbardhi dinamikën e plagosjes me armë zjarri në krah të një 24-vjeçari, dje në Bathore. Nga hetimet rezultoi se i riu pati konflikt me një bashkëmoshatar për makinën e shitur prej këtij të fundit, tashmë i prangosur. I riu ndodhet në spital, ku fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Policia vijon punën për gjetjen e armës.

Autori i dyshuar i ka shitur makinën të plagosurit, por pa bërë aktin e shitjes. Donaldo Bajrami i kërkonte të bënin kalimin e pronësisë së mjetit nga emri i tij, te Elvis Visha. Ky i fundit e shmangte se si përdorues i lëndëve narkotike, druhej mos bënte aksident dhe nuk donte që makinën e blerë ta kishte në pronësi. Visha i thonte Bajramit se makinën e ka shitur te një person tjetër. Por, autori i dyshuar e pa duke qarkulluar me makinë dhe shkoi në banesë ku mori çiften. Pasi e qëlloi, e la të plagosur.

Njoftimi i policisë:

Pasditen e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në spital ishte paraqitur për të marrë mjekim, një shtetas që ishte plagosur me armë zjarri, specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda të DVP Tiranë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5, organizuan menjëherë punën, me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e autorit. Si rezultat i veprimeve profesionale, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga autori i dyshuar, shtetasi:

D.B., 24 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se dje, në rrugën “Ali Këlçyra”, shtetasi D. B., gjatë një konflikti për motive të dobëta, me shtetasin E. V., 24 vjeç, e ka plagosur atë, në krah, me armë zjarri.

Shtetasi E. V. ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.