Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka përshëndetur propozimin e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës gati dyvjeçare në Gazë, e cila ka lënë mbi 66 mijë viktima palestineze, sipas OKB-së. Në një postim në platformën X, shkroi:
Mirëpres angazhimin e Presidentit DonaldTrump për të përfunduar luftën në Gaza. I inkurajoj të gjitha palët ta shfrytëzojnë këtë mundësi. BE-ja është e gatshme të kontribuojë.
Plani i Trump-it, i quajtur “Plani 20-Pikësh për Paqen në Gaza”, u miratua gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë mes tij dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu. Dokumenti parashikon armëpushim të menjëhershëm, lirimin brenda 72 orësh të rreth 20 pengjeve izraelitë të mbajtur nga Hamasi, dorëzimin e trupave të pajetë të 24 të tjerëve, si edhe lirimin e qindra të burgosurve palestinezë.
Plani përfshin çarmatosjen e Hamasit, amnisti për anëtarët që pranojnë bashkëjetesën paqësore, si dhe krijimin e një qeverie tranzitore teknokratike nën një Bord Ndërkombëtar të Paqes, të drejtuar nga Trump e me pjesëmarrjen e ish-kryeministrit britanik, Tony Blair.
Gaza do të demilitarizohet, Izraeli do të mbajë përgjegjësinë e sigurisë përkohësisht dhe një zonë ekonomike speciale do të krijohet për rindërtimin e saj, duke e kthyer në një “zonë pa terror”. Nëse Hamasi refuzon, Izraeli ka paralajmëruar vazhdimin e operacioneve ushtarake, por me mbështetjen e SHBA-ve për paqe.
Plani siguron edhe ndihma humanitare të menjëhershme për Gazën, përfshirë rikthimin e infrastrukturës bazë si uji, energjia e kanalizimet, si dhe rehabilitimin e spitaleve.
Propozimi u diskutua gjerësisht në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku liderë arabë dhe myslimanë, përfshirë Katarin, Egjiptin, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara Arabe e Arabinë Saudite, si dhe Turqinë, Pakistanin dhe Indonezinë, e përshëndetën atë si një hap drejt zgjidhjes me dy-shtete.
Von der Leyen theksoi se armiqësitë duhen ndalur menjëherë dhe ndihmat humanitare duhet të arrijnë popullsinë e Gazës. Ajo ripërsëriti mbështetjen e BE-së për një zgjidhje dy-shtetesh, ku izraelitët dhe palestinezët të jetojnë në paqe dhe siguri. BE-ja planifikon të krijojë një grup donatorësh për rindërtimin e Gazës e të kontribuojë në një Forcë Stabilizuese Ndërkombëtare për sigurinë e zonës.
Reagimet në Evropë janë pozitive. Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, si dhe shefja e politikës së jashtme, Kaja Kallas, e quajtën planin një “mundësi historike”.
Nga ana e tij, kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti francez, Emmanuel Macron i bënë thirrje Hamasit të pranojë planin, ndërsa kancelari gjerman Friedrich Merz premtoi kontribute konkrete nga Gjermania. Edhe Spanja, kritike ndaj Izraelit, mbështeti nismën.