Një aksion i përbashkët i Policisë Bashkiake dhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) për lirimin e hapësirave publike në qytetin e Vlorës është shoqëruar me një incident ditën e sotme. Katër qytetarë, të cilët kundërshtonin ndërhyrjen e autoriteteve në biznese, janë përplasur fizikisht medrejtorn e IMT-së dhe inspektorit përgjegjës.
Sipas burimeve zyrtare, ngjarja ka ndodhur në hyrje të qytetit të Vlorës. Pas konstatimit të përplasjejes fizike, në vendngjarje kanë ndërhyrë efektivët e Policisë Rrugore për të neutralizuar situatën. Gjatë ndërhyrjes, një prej punonjësve të policisë është goditur nga disa persona, duke u detyruar të nxjerrë armën e shërbimit dhe të qëllojë në ajër.
Në vijim, janë njoftuar forcat speciale “Shqiponja”, të cilat kanë shoqëruar në komisariat personat e përfshirë në konflikt për veprime të mëtejshme procedurale.
Irfan Dalipaj 58 vjeç Drisild Dalipaj 27 vjeç dhe Fabio Dalipaj 23 vjeç (babai dhe 2 djemtë) janë 3 personat e ndaluar, të cilët janë përfshirë në konflikt me drejtorin dhe inspektorin e IMT-së. Ndërkohë Drisild Dalipaj është i punësuar si polic bashkiak në Vlorë. Po këta persona janë përplasur fizikisht dhe me dy efektivë të policisë rrugore, të cilët kanë ndërhyrë për të neutralizuar situatën.
Njoftimi i Policisë
Sot, rreth orës 12:20, shërbimet e Policisë janë njoftuar se në vendin e quajtur Rrethrrotullimi i Nartës ka ndodhur një konflikt ndërmjet punonjësve të INUV dhe shtetasve I. D., 58 vjeç, D. D., 27 vjeç dhe F. D., 23 vjeç. Në afërsi të konfliktit kanë qenë duke kryer shërbim të planizuar dy punonjës të Qarkullimit Rrugor, të cilët kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe janë goditur fizikisht nga tre shtetasit e sipërpërmendur.
Gjatë ndërhyrjes dhe në përpjekje për të ndalur sulmin fizik, njëri prej punonjësve ka përdorur armën e shërbimit duke qëlluar në ajër, pa shkaktuar lëndime.
Si pasojë e dëmtimeve fizike të shkaktuara nga goditjet e tre shtetasve, dy punonjësit e Policisë janë dërguar në Spitalin Rajonal Vlorë, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.