Ish-shoferi i deputetit të zgjedhur demokrat, Arjan Ndoja, kallëzoi në Policinë e Tiranës se pas mesnate, u qëllua me armë zjarri në drejtim të lokalit të tij. Bëhet fjalë për lokalin në pronësi të shtetasit Mondi Voga e që gjendet në fshatin Krastë. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:10 minuta. Uniformat blu njoftojnë se si pasojë e të shtënave pati vetëm dëme materiale dhe po punohet për identifikimin e autorit apo autorëve.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 01:10, shtetasi M. V. ka njoftuar Sallën Operative të DVP Tiranë, se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit të tij, në fshatin Krastë, Fushë Krujë. Si pasojë ka patur vetëm dëme materiale. Punohet për identifikimin e autorit/ëve, si dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.
Mësohet se autorët e armatosur qëlluan nga rruga nacionale Krujë-Fushë Krujë në drejtim të lokalit. Grupi hetimor gjeti 15 gëzhoja në vendin e ngjarjes.
Edhe në vitin 2017, Vogës iu vendos eksploziv në lokal. Ai është person me precedentë të mëparshëm kriminalë.