Policia e qarkut Shkodrës zbuloi një lokal në Fushë-Arrëz ku zhvillohej veprimtari e paligjshme e lojërave të fatit, duke arrestuar në flagrancë një 30-vjeçar dhe shpallur në kërkim dy persona të tjerë, të dyshuar si organizatorë.
Gjatë operacionit të zhvilluar në qytetin e Fushë-Arrëzit, efektivët konstatuan se në ambientet e një lokali organizoheshin lojëra fati në kundërshtim me ligjin. Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua shtetasi P.P., 30 vjeç, banues në Fushë-Arrëz, i cili punonte në këtë lokal.
Ndërkohë, u shpallën në kërkim shtetasit I.T., 30 vjeç dhe G.P., 39 vjeç, të dy banues në Tiranë, të cilët dyshohet se ishin organizatorët e kësaj veprimtarie të paligjshme.
Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit, policia sekuestroi dy makineta, një pajisje kompjuterike, një celular dhe shumën prej 140 mijë lekësh, që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti i kundërligjshëm.
Policia vijon punën për kapjen e personave në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.
