Aksident i rëndë te mbikalimi i Paskuqanit. Një 72-vjeçare që po kalonte trafikndarësen u përplas për vdekje nga një makinë. E plagosur mbeti një grua 66-vjeçe, e cila është në kujdesin e mjekëve. Drejtuesi i automjetit u shoqërua në komisariat. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Rreth orës 09:35, te mbikalimi i Paskuqanit, shtetasi R.Q., 35 vjeç, ka përplasur me automjetin që drejtonte, shtetaset L. S., rreth 72 vjeçe dhe H. M., rreth 66 vjeçe, të cilat dyshohet se po kalonin trafikndarësen. Si pasojë, ka humbur jetën shtetasja L.S. dhe është dëmtuar shtetasja H.M., e cila është në kujdesin e mjekëve.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në komisariat, për kryerjen e veprimeve të metejshme procedurale, ndërsa grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Gjatë periudhës janar-shkurt 2025, numri i aksidenteve rrugore pësoi ulje prej 21,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në 81,8% të aksidenteve, shkaqet kryesore janë të lidhura me sjelljen e drejtuesve të mjeteve. Grupmoshat më të prekura nga aksidentet janë ata të moshave 25-34 vjeç dhe 45-59 vjeç, duke zënë secila nga 23,9% të numrit të aksidenteve.
Dita e enjte ka regjistruar numrin më të lartë të aksidenteve gjatë muajit shkurt, me 20,5%, ndërsa dita e diel ka qenë dita me numrin më të ulët të aksidenteve, me 9,1%. Numri më i lartë i aksidenteve ka ndodhur përgjatë harkut kohor 19:00-24:00, duke zënë 19,3% të aksidenteve gjithsej.
Pavarësisht uljes së numrit të aksidenteve në krahasim me vitin e kaluar, akoma mbeten shumë faktorë që kërkojnë vëmendje për të reduktuar më tej numrin e aksidenteve dhe për të rritur sigurinë rrugore.