Bota Botë e Çuditshme

Porositi një telefon në internet, të riut i vjen granata në shtëpi!

Një meksikan, së fundmi porositi një telefon të ri në internet, duke mos ditur se do të përfundonte në polici. Pakoja arriti me postë të hënën e kaluar dhe nëna e tij e solli në shtëpi dhe e vendosi në tryezën e kuzhinës.

Pak kohë më vonë, djali arriti në shtëpi dhe hapi me padurim pakon. Në vend të një telefoni, ai gjeti një pamje që e tmerroi, thonë mediat e huaja. Brenda kutisë ishte një granatë dore gati për të shpërthyer. Ai në panik thirri policinë, e cila rrethoi zonën përreth shtëpisë dhe e çaktivizoi pajisjen e rrezikshme.

Për momentin nuk dihet se kush e ka dërguar bombën dhe besohet se ajo ka përfunduar gabimisht në duart e një të riu. Mjete të tilla vdekjeprurëse nuk janë risi, pasi përdoren në përballje me kartelet vendase të drogës. Në gjashtë vitet e fundit, policia ka sekuestruar më shumë se 600 pajisje kriminale të improvizuara vetëm në Guanajuato.