Aktualitet

Porositi një vrasje, 25 vite burg për 34-vjeçarin në Lushnjë!

Gjykata e Fierit dënoi me 25 vite burg Laert Hasallën, 34 vjeç, banues në fshatin Garunjas të Lushnjës, për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese”. Kjo pasi ka porositur një vrasje të mbetur në tentativë. Ngjarja e rëndë e vitit 2023 kishte motive gjakmarrjeje dhe u shkaktua nga një konflikt pronësie.

Sipas hetimeve, Laert Hasalla ka paguar Mariglen Matjanin, 31 vjeç (i cili është aktualisht i dënuar), për të kryer vrasjen e Marius Hasallës. Matjani ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit ku udhëtonte Marius Hasalla, me qëllim vrasjen e tij.

Megjithatë, qëllimi nuk u arrit të realizohej, se si pasojë e të shtënave, është plagosur e afërmja e Marius Hasallës, B.S., e cila po udhëtonte në të njëjtin automjet.

Gjatë hetimeve, rezultoi se ky konflikt ka lindur si pasojë e një mosmarrëveshjeje për pronën, duke çuar në një cikël hakmarrjeje mes të afërmve.

Laert Hasalla ka qenë nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” gjatë hetimeve, pasi dyshohej për rolin e tij si porositës i krimit. Gjykata vendosi dënimin e tij me 25 vite burg, si porositësi i vrasjes.