Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, tha se njohja e shtetit palestinez nga Britania është një hap drejt “një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”, sipas një deklarate të lëshuar nga presidenca palestineze.
“Presidenti i Shtetit të Palestinës, Mahmoud Abbas, mirëpret njoftimin e njohjes së Shtetit të pavarur Palestinez nga Mbretëria e Bashkuar, duke deklaruar se ky është një hap i rëndësishëm dhe i nevojshëm drejt realizimit të një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha presidenca.
Abbas nuk u lejua të udhëtonte drejt SHBA ku ndodhet selia e OKB-së pasi autoritetet amerikane nuk i dhanë vizë. Ai do të flasë përmes një video në mbledhjen e javës së ardhshme.
Ndërkohë përfaqësuesit më radikalë të qeverisë izraelite kanë reaguar ashpër ndaj vendimit të Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë dhe Australisë për të njohur Shtetin e Palestinës.
Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir — njëherësh edhe udhëheqës i partisë së ekstremit të djathtë «Otzma Yehudit» — e quajti këtë hap një «shpërblim për vrasësit e Hamasit» dhe njoftoi se në mbledhjen e ardhshme të qeverisë do të paraqesë një propozim për zbatimin e menjëhershëm të sovranitetit izraelit mbi Bregun Perëndimor.
Edhe ministri i Kulturës dhe Sporteve, Miki Zohar, i doli në krah kësaj ideje, duke bërë thirrje për «shtrirjen e sovranitetit izraelit në Jude, Samari dhe Luginën e Jordanit».
‘Do të duhet të luftojmë në OKB dhe në të gjitha forumet e tjera kundër propagandës së rreme kundër nesh dhe kundër kërkesave për të krijuar një shtet palestinez, i cili do të rrezikonte ekzistencën tonë dhe do të ishte një shpërblim i pabesueshëm për terrorizmi’”, tha — sipas Times of Israel — kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu gjatë mbledhjes javore të Kabinetit.