Bota

Presidenti turk Erdogan: Zoti e shkatërroftë Izraelin!

“Ai, ‘Dominuesi’ (Al-Kahrar), e shtyptë dhe shkatërroftë Izraelin.” Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e deklaroi këtë, duke përdorur një nga emrat e përdorur në Islam për të përshkruar Zotin: Kahrar, që mund të përkthehet si “Dominuesi” ose “ai që nënshtron”. Siç raporton Anadolu, udhëheqësi turk i bëri këto komente pas lutjeve të së premtes në një xhami në Rize, qytetin buzë Detit të Zi nga ku është me origjinë familja e tij. “Zoti na mbroftë dhe na ruajtë sa më shpejt të jetë e mundur nga fatkeqësia sioniste”, shtoi Erdogan në fjalimin e tij.

Ndërkohë Xhamia Al-Aksa në Jerusalem mbeti e mbyllur sot, duke shënuar herën e parë që nga viti 1967 që vendi i adhurimit është mbyllur gjatë Bajramit. Autoritetet izraelite e mbyllën xhaminë në fillim të luftës me Iranin për “arsye sigurie”.

Portat mbetën të mbyllura duke i detyruar besimtarët të luten sa më afër vendeve të shenjta të jetë e mundur.

“Ky kufizim i paparë ka penguar mijëra palestinezë të festojnë një nga rastet më të rëndësishme fetare të vitit në një nga vendet më të shenjta të Islamit”, tha Komiteti i Lartë Presidencial për Çështjet e Kishës në Palestinë.
Kompleksi i Xhamisë Al-Aksa , i njohur për hebrenjtë si Mali i Tempullit, ka rëndësi fetare si për myslimanët ashtu edhe për hebrenjtë. Është bërë një pikë e veçantë tensioni në dekadat e fundit, duke përfshirë kufizimet në aksesin e myslimanëve palestinezë në vend, si dhe projektet e gërmimeve izraelite në afërsi dhe dëbimet e banorëve palestinezë në lagjet përreth.