Princi Harry është ribashkuar me Mbretin Charles në Clarence House, në takimin e parë baba-bir pas gati një viti e gjysmë. Herën e fundit ata u panë së bashku në shkurt të vitit 2024, kur Duka i Sussex udhëtoi drejt Londrës pas njoftimit se monarku po i nënshtrohej trajtimit për kancer.
Harry ndodhet në Mbretërinë e Bashkuar prej së hënës, ku ka zhvilluar disa aktivitete publike. Të mërkurën në mëngjes, ai vizitoi Qendrën për Studime të Lëndimeve nga Shpërthimet në Imperial College London, ndërsa një ditë më parë bëri homazhe në varrin e Mbretëreshës Elizabeth II në përvjetorin e tretë të vdekjes së saj.
Megjithatë, përçarja me vëllanë e tij, Princin William, mbetet e pandryshuar. Trashëgimtari i fronit ishte në Cardiff në Ditën Botërore të Parandalimit të Vetëvrasjeve, pa plan për një takim me të vëllanë.
Burime pranë pallatit mbretëror kanë bërë të ditur se pak ditë më parë ndihmës të lartë të Mbretit Charles dhe të Princit Harry zhvilluan një takim “sekret” në një klub privat pranë Clarence House, në kuadër të përpjekjeve për pajtim. Takimi, i mbajtur në Royal Overseas League, u përshkrua si “një pije e rastësishme” dhe jo një mbledhje me axhendë zyrtare.
Në bisedë morën pjesë Meredith Maines, drejtoresha e komunikimit të Harry-t, dhe Tobin Andreu, sekretari i komunikimit i Mbretit Charles.
Të pranishmit u panë duke biseduar fillimisht në tarracën e klubit me pamje nga Green Park, përpara se të vazhdonin diskutimin brenda.
Ka ende një rrugë të gjatë përpara, por për herë të parë pas shumë vitesh është hapur një kanal komunikimi
-tha një burim për “Daily Mail”.
Ishte vetëm hapi i parë drejt pajtimit mes Harry-t dhe babait të tij, por një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur.