Gossip Showbiz

Princesha e Uellsit mungon në Royal Ascot për shkak të shëndetit?

Princesha e Uellsit, Kate, është detyruar të tërhiqet nga pjesëmarrja e saj e planifikuar në Royal Ascot, një nga eventet më të rëndësishme sportive dhe shoqërore të vitit në Mbretërinë e Bashkuar.

Burime pranë pallatit mbretëror bëjnë të ditur se Princesha, e cila po rikuperohet pas betejës së saj me kancerin, është ende në fazën e përshtatjes dhe po përpiqet të gjejë balancën e duhur për t’u rikthyer plotësisht në jetën publike.

Kate thuhet se ka qenë e zhgënjyer për mungesën në këtë aktivitet, ku ishte planifikuar të shfaqej në procesionin tradicional të karrocave në Berkshire.

Kensington Palace konfirmoi zyrtarisht se Princesha nuk do të ishte e pranishme këtë vit në Royal Ascot.

Ndërkohë, në karrocën e parë të procesionit mbretëror, të pranishëm ishin Mbreti Charles, Mbretëresha Camilla dhe Princi i Uellsit, të shoqëruar nga Princi Saud bin Khalid Al Saud, një anëtar i familjes mbretërore të Arabisë Saudite.

Mungesa e Kate në këtë ngjarje ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe publikut, të cilët vijojnë të shprehin mbështetjen e tyre për rikuperimin e saj të plotë.