Siguria përreth Kalasë Windsor është vënë sërish në alarm, pasi një incident shqetësues ka ndodhur më 1 qershor.
Një burrë ka tentuar të hyjë në zonën e mbrojtur prej 13 hektarësh, ku jetojnë Princ William, Kate Middleton dhe fëmijët e tyre: Princi George (11 vjeç), Princesha Charlotte (10) dhe Princi Louis (6).
Policia e Thames Valley konfirmoi për NBC News se incidenti ndodhi rreth orës 13:00 të së dielës, kur burri u fut në një zonë të ndaluar të Kalasë Windsor.
Fatmirësisht, ai u ndalua menjëherë nga forcat e sigurisë dhe u arrestua në vendngjarje.
Autoritetet sqaruan se personi nuk kishte arritur të depërtonte në ambientet e brendshme të kalasë.
I dyshuari është një burrë në të 30-at, i cili u ndalua përkohësisht dhe më pas u la i lirë nga paraburgimi.
Ky nuk është incidenti i parë që ndodh në këtë pronë mbretërore. Që nga viti 2022, kur William dhe Kate u zhvendosën nga Pallati Kensington në rezidencën e tyre në Windsor, janë raportuar disa shkelje sigurie.
Në tetor të vitit të kaluar, dy automjete u vodhën nga prona gjatë një grabitjeje të organizuar, ndërsa në prill 2022, një burrë i paidentifikuar që ishte paraqitur si prift, arriti të qëndronte një natë të tërë brenda pronës, duke konsumuar ushqim dhe pije, madje i ishte ofruar edhe vend për të fjetur.
Ngjarjet e përsëritura kanë ngritur shqetësime për nivelin e sigurisë në një nga rezidencat më të rëndësishme të familjes mbretërore britanike.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende informacion shtesë për motivin e personit që tentoi hyrjen, por hetimet janë ende në vazhdim.