Katër anëtarë të stafit të Princit Harry dhe Meghan Markle janë larguar nga ekipi i tyre, si pjesë e një ristrukturimi të brendshëm, konfirmon “Page Six”.
Mes tyre janë Kyle Boulia, zëvendëssekretari i shtypit i çiftit në Los Angeles, dhe Charlie Gipson, zyrtari i shtypit në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët kanë dhënë dorëheqjen në heshtje pas ardhjes së këshilltarëve të rinj.
Përveç tyre, edhe dy pjesëtarë të tjerë të ekipit privat të çiftit kanë lënë pozicionet e tyre javët e fundit.
Lëvizjet vijnë pasi Duka dhe Dukesha e Sussex kanë formuar një ekip të ri komunikimi, të drejtuar nga Meredith Kendall Maines, e emëruar Drejtoreshë e Komunikimit në fillim të këtij viti.
Maines ka deklaruar për “Page Six”:
Ndërsa interesat e biznesit dhe filantropisë së Dukës dhe Dukeshës rriten, kam marrë një vendim strategjik për të kaluar drejt një strukture komunikimi më tradicionale, të mbështetur nga agjenci të specializuara, siç është raportuar më parë nga Forbes dhe PR Week
Sipas burimeve, struktura e re do të përfshijë një staf mbështetës me tetë persona që operojnë në pesë zona të ndryshme kohore.
Kjo pritet të ofrojë një qasje më efikase dhe të shpejtë për mediat ndërkombëtare dhe palët e interesuara.