Një kapitull i ri dhe i papritur po hapet për Familjen Mbretërore Britanike. Princit Andrew i është hequr zyrtarisht titulli “princ” dhe do të largohet nga rezidenca e tij luksoze në Windsor, sipas njoftimit të fundit nga Royal Lodge në Pallatin Buckingham.
Vendimi i mbretit Charles III për të nisur “një proces formal” për heqjen e titujve të vëllait të tij është parë si një nga masat më të ashpra ndaj një anëtari të familjes mbretërore në dekadat e fundit.
Andrew, 65 vjeç, do të njihet tani me emrin Andrew Mountbatten Windsor, duke humbur përfundimisht çdo status mbretëror. Ai është përballur me një sërë kritikash për shkak të lidhjeve të tij me financuesin amerikan Jeffrey Epstein, i dënuar për abuzim seksual me të mitura.
Edhe pse Andrew ka mohuar çdo përfshirje, skandalet e njëpasnjëshme kanë ndikuar ndjeshëm në reputacionin e familjes.
Vendimi për t’i hequr titujt dhe për ta larguar nga Royal Lodge përfshin edhe ndryshime për anëtarët e tjerë të familjes së tij. Ish-bashkëshortja e Andrew, Sarah Ferguson, 66 vjeç, do të largohet gjithashtu nga rezidenca dhe do të duhet të sigurojë vetë jetesën e saj.
Ajo humbi edhe titullin e dukeshës së Jorkut në fillim të tetorit, duke u rikthyer te mbiemri i vajzërisë.
Sipas komentatorëve mbretërorë, kjo humbje statusi do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën publike të Sarah-s.
Ajo e përdorte ende titullin në daljet publike dhe rrjetet sociale. Humbja e tij është një goditje për imazhin e saj
-u shpreh analisti Richard Palmer për BBC.
Ndërkohë, vajzat e tyre, Princeshat Beatrice dhe Eugenie, nuk preken nga ky vendim. Sipas rregullave mbretërore të përcaktuara që në vitin 1917 nga Mbreti George V, ato do të vazhdojnë të mbajnë titujt e tyre, pasi janë vajzat e një djali të sovranit.
Megjithatë, komentatorët mbretërorë theksojnë se roli i tyre në familje po zbehet me kalimin e kohës.
Ato janë tashmë në pozicione të ulëta në vijën e trashëgimisë dhe nuk ka gjasa të marrin detyra zyrtare në të ardhmen
-tha analistja Victoria Murphy për “The Times”.
Andrew pritet të zhvendoset në Sandringham Estate, në Norfolk – një nga pronat më të mëdha të familjes mbretërore, që shtrihet në rreth 8,100 hektarë.
Ende nuk është bërë e ditur saktësisht se në cilën pjesë të pronës do të vendoset ai, por burime pranë pallatit thonë se zhvendosja “do të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur”.
Ky zhvillim shënon fundin e një epoke për princin dikur të dashur të publikut britanik, i cili tani përballet me një realitet të ri, larg titujve, privilegjeve dhe jetës mbretërore që dikur e shoqëronte.