Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte i ftuar në studio Genc Muçollari, drejtues i organizatës jofitimprurëse “Aksion Plus” që trajton personat me varësi ndaj drogës. Si një specialist i kësaj fushe, Genci na foli më shumë në lidhje me të rinjtë që i futen kësaj bote dhe e kanë shumë të vështirë të dalin më prej saj.
Për këto e shumë të tjera, Muçollari shprehet:
Duhet punuar me të rinjtë që të zëvendësojnë këtë pjesën e varësisë nga drogërat substancore në një lloj droge më pozitive që është frymëzuese si muzika. Sot kisha dy raste që ishin vajza të moshës 18-vjeçe të cilat kishin rënë pre duke nisur që nga ekstazia megjithëse kjo lloj droge nuk ka përhapje të madhe. Ajo që po përhapet është kokaina dhe rasti në fjalë kishte përdorim ekstazi-kokainë me gjithë dramat dhe krizat që përjeton një njeri në atë moshë. Hapi i parë nis te prindërit se çfarë modeli i japin fëmijëve të tyre. Nëse u predikojnë fëmijëve që droga dëmton dhe vetë pijnë një ilaç qetësues gjumi apo pijnë duhan, vetë shëmbulli yt flet sa 5 mijë fjalë të tuat. Kanabisi ka pësuar rritje, kemi qenë në një nivel 4.4% midis të rinjve dhe tani jemi në një nivel rreth 6-6.5%. Heorina gjithashtu ka pësuar rritje dy herë.
Përdoruesit e heroinës janë ata që mbyllin ciklin e përdorimit të drogërave të lehta që ne nuk i quajmë të lehta. Shumë njerëz nisen nga ideja që është e ligjshme apo jo e ligjshme. Për ne nuk egziston kjo. Kur flasim për varësi, kemi edhe varësi nga lojërat e fatit, bixhozi, seksi dhe roli i psikologut dhe psikiatrit merr një domethënie kryesore. Heroina e ka një preparat që është metadoni, suboteksi të cilët janë të aftë ta zëvendësojnë që trupi të ndihet i aftë, të funksionojë në pjesën fizike. Shumë individë dalin mirë në terapi por kur vjen puna për tu kthyer në shoqëri, në tregun e punës çalon e gjithë çështja. Nuk gjehet punë, krijohet një mur shoqëror, familja mund t’i pranojë vetëm nëna, babai mund të bëhet më refuzues, e dashura e ka lënë. Terapia me metadon funksionon shumë mirë në këtë aspekt. Kemi një rritje të cilësisë së jetës. Një individ në terapi vlerëson më shumë veten e tij, studion, lidhet me një partnere, nis një punë, nuk merr më borxhe nga familja. Kemi shumë raste të të rinjve që përdorin kanabis që përfundojnë në burg, sepse një përdorues bëhet edhe një shpërndarës. Kemi një bashkëpunim të mirë me pushtetin lokal, i cili duhet për këtë kontigjen njerëzish, edhe me Ministrinë e Brendshme gjithashtu.
Sa ndikon roli i psikologut në këto fenomene?
Që në vitin 2000 ne nisëm një projekt “Psikologu në shkollat e mesme” dhe është bërë pjesë e Ministrisë së Arsimit. Jam i kënaqur që ky projekt aplikohet nga shteti. Numri i nxënësve është shum i madh dhe një psikolog nuk i mbulon dot të gjithë. Ne kemi bërë trajnime me shumë psikologë shkollash duke mbuluar një problematike shumë të gjerë. Ka një rol themelor edhe në përdoruesit e drogërave. Shumë sëmundje lidhen me përdorimin e drogërave dhe për këtë kemi bashkëpunuar më një psikiatër i cili ka trajtuar raste të tilla. Ka patur raste që janë shtruar në psikiatri. Kemi një mangësi të personave që janë këshillues për probleme substancore. Mundohemi të bashkëpunojmë më psikologë dhe psikiatër të tregut privat. Një problematikë e madhe janë prindërit dhe të afërmit. Ne mundohemi t’i adresojmë në rrugën që janë përdoruesit tani e tutje. Kemi dy nëna që janë shumë aktive. Kemi krijuar grupe me nënat sepse ka nëna që nuk dinë si të sillen dhe të bashkëbisedojnë me fëmijët e tyre sepse ballafaqohen për herë të parë më këtë problem dhe kështu që flasin më nënat e tjera që janë mësuar dhe kanë më shumë kohë që kanë fëmijë përdorues drogërash.
Por, përsa i përket legalizimit të drogërave?
Një hap pozitiv në Shqipëri është bërë me shërbimin e provës. Persona të tillë nuk shkojnë në burg por në shërbim prove të cilët bashkëpunojnë edhe me ne për të trajtuar rastet e përdoruesve.